Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj sulmoi hapur kreun e PD-së, Lulzim Basha vetëm pak orë para protestës, duke thënë se ai nuk ka mbështetje nga perëndimi për dhunën që po ushtron dhe s’e kurrë nuk ka për t’u bërë kryeministër në Shqipëri.
“Lul Basha tha do shkoj në Gjermani dhe tha se do bëhet nami. Do takoj Merkelin, do marr mbështetje.
Por as Merkelin s’e takoi. As mbështetjen s’e mori. Takoi vetëm një prift. E dini pse? Sepse Gjermania është një shtet serioz. Ka gazeta dhe tabloide që shkruajnë idiotësira. Por një shtet serioz si Gjermania deri tani ka mbështet dhe ka dalë në krah të kujt, të Edi Ramës. Dhe me shku 1 javë para protestës dhe me u sjell vërdallë në Berlin dhe me taku vetëm një prift, kjo është me u tallë me njerëzit, që e kuptojnë se je askush. S’ke lënë asnjë gjurmë kur ke qenë në pushtet, vetëm plagë të hapur. Nga 21 janari dhe falja e detit. Ky popull nuk e fal faljen e detit”, tha Veliaj nga Zall -Herri.
Ai tha se në protestat e opozitës sa vjen e më pak njerëz po marrin pjesë.
“Do kalojë dhe kjo ditë sot. Do kalojë kjo protestë. Çdo ditë bëhen më pak. Ne do e rregullojmë prapë për çerek ore.
Lul Basha nuk mund të zgjidhet kurrë kryeministër. Ka qenë kryebashkiak dhe nuk bëri dot një shkollë, nuk mbolli dot një pemë…”, tha Veliaj.