Shqipëria mundi Islandën të martën në ndeshjen e raundit të 6-të kualifikues të Euro 2020, me rezultatin 4-2. Ky ishte një rezultat historik për kombëtaren tonë, pasi për herë të parë shënuam katër gola në një takim zyrtar.
Gjithashtu, për herë të parë në karrierën e tij si futbollist i kombëtares, kapiteni kuqezi, Elseid Hysaj, pas 50 takimesh, shënoi golin e parë për Shqipërinë. Ishte minuta e 52` e takimit, kur Hysaj gjeti rrjetën pas një asisti të dhuruar nga Manaj.
Por, asisti i Manajt, më shumë se goli i Hysajt, ishte më spektakolar pasi sulmuesi i Albacete në Spanjë bëri një finte të bukur. Ishte Elseid Hysaj që i dhuroi topin Mamanajt jashtë zone, teksa sulmuesi lëvizi bukur mes mbrojtjes kundërshtare dhe më pas i kaloi topin dy islandezëve duke e nxjerrë për Hysajn me finte.
Pikërisht, kjo lëvizje taktike e Manajt, është përzgjedhur nga UEFA si “Skill of the day”, apo “Aftësia e ditës”. Qeveria evropiane e futbollit e ka publikuar në faqen zyrtare momentin e fines së Manajt duke e shpërndarë edhe në rrjetet sociale, ndërsa video e sulmuesit kuqezi ka marrë shumë pëlqime.