Viti 1997, shkrimi i parë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës

KOSOVA



Nga Ali Ukaj
QE përmendur më tepër nga citimet e shtypit të huaj, nga burimet shqiptare ashtu edhe nga ato serbe, një organizatë e quajtur “Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, sikur po merr një I legjitimitet ndërkombëtar, si lëvizje që kërkon alternativa të tjera për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

E i përditshmja prestigjioze “The New  York Times” thotë se sipas burimeve të zbulimit amerikan, ky grup – Organizata e Shqiptarëve të Kosovës – paraqet një rrezik potencial për thyerjen e kontrollit serb mbi Kosovën.


UÇK-ja është njohur për opinionin, qysh në prill të 1993, përmes një komunikate që iu shpërnda gazetave dhe agjencive të lajmeve, ku ajo merr ajo përgjegjësinë për vrasjen e 3 policëve serbë dhe plagosjen e 5 të tjerëve. Ngjarja kish ndodhur në Gllogoc, 40 kilometra në lindje të Prishtinës.

Për shumë vetë ky rast u konsiderua si një lojë e politikës serbe. U desh të kalojë një kohë e gjatë, që në radhë të parë shqiptarët vetë binden se brenda tyre ekziston një forcë e tillë. Vetëm gjatë vitit 1996, numri i aksioneve të armatosura do të arrinte mbi 30 dhe me një bilanc prej dhjetëra të vrarësh e të plagosurish, të gjithë pjesëtarë të policisë serbe. Por në shënjestër të kësaj organizate mbeten edhe një numër shqiptarësh, të cilët nga UÇK llogariten bashkëpunëtorë të policisë Serbe.

Edhe ndaj tyre, për 18 muaj janë regjistruar 14 sulme. Ndërkohë në Prishtinë, nis një proces i ri gjyqësor ndaj 18 të rinjve shqiptarë dhe në fillim të qershorit është lajmëruar një tjetër gjyq po ndaj shqiptarëve. Të akuzuarit duhet t’i përgjigjen akuzës, që i cilëson anëtare të dy organizatave ilegale, “Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës” dhe “Ushtria Çlirimtare e Kosovës”.

Sipas të dhënave të publikuara në disa gazeta perëndimore, kjo organizatë nga dita në ditë po forcohet e shton radhët, duke dëshmuar një rritje të ndjeshme të përkrahjes ndaj saj si në Kosovë, ashtu edhe tek shqiptarët në mërgim. Buxheti financiar i UÇK-së ka pasur një ngritje të madhe vetëm nga kontributi vullnetar. Në të njëjtën kohë 3% që llogaritej si obligim qytetar për fondin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, ka një rënie aq të madhe, saqë pushteti i Rugovës do ta ketë të pamundur që të rezistojë deri në dhjetor, kur janë caktuar zgjedhjet e shtyra.

Ditët e fundit, Shtabi lokal i “Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” për Prishtinën, nxori një komunikatë publike ku, kësaj here me një ton më të ashpër, iu tërheq vërejtjen strukturave politike të Kosovës dhe mjeteve të informacionit. Në të, ndër të tjera thuhet: “Të ndërpritet mbështetja morale dhe materiale që po i bëhet politikës së dështuar në Kosovë”.

Në komunikatë u bëhet thirrje qytetarëve si brenda, ashtu edhe jashtë vendit, që mos t’i derdhin mjetet materiale në adresë të “qeverisë dhe politikës paqësore”, ndërsa “mjetet që disponon qeveria dhe drejtuesit e politikës t’i derdhin në fondin e UÇK ‘së”, duke tërhequr vërejtjen se “mos përmbushja e kësaj kërkese e rëndon më shumë përgjegjësinë e tyre para gjyqit ushtarak”. Edhe mjeteve shqiptare të informacionit, si në Kosovë ashtu dhe në vende të tjera, u tërhiqet vërejtja se “duhet ta konsiderojnë të mbyllur pluralizmin dhe propagandimin e kësaj politike humbëse”. Madje UÇK kërcënohen “nëse vazhdojnë me të njëjtin avaz do të konsiderohen si vegla të okupatorit”. Ky është “qortimi i fundit i butë që UÇK-ja i bën mjeteve të informacionit shqiptar”, përfundon komunikata.

Në qoftë se shqiptarët në Shqipëri duhej të humbnin paratë për të rrokur armët, udhëheqjes politike të Kosovës do t’i ndalen paratë për të filluar betejën për Çlirimin e Kosovës. Ndërkohë nga organizata “misterioze” bëhet e ditur se i ndalohet çdo institucioni që të nënshkruajë ndonjë marrëveshje të re me Serbinë që bie në kundërshtim me vullnetin politik të popullit shqiptar të shprehur edhe me anën e referendumit gjithë popullor. “Në rast të kundërt do të marrë çmimin e merituar nga vetë populli”, kërcënon UÇK- ja. Një muaj më parë, më 18 prill, kur besimtarët myslimanë festonin festën e Kurban Bajramit, në fshatin Bunavec, në hyrje të Xhamisë, në një shtyllë elektrike persona të panjohur kishin vendosur të ashtuquajturën listë e vdekjes. Në këtë listë figuronin një numër i konsiderueshëm emrash. Në të thuhej: “Në emër të kombit jeni të dënuar më vdekje, për tradhti ndaj atdheut”. Në të shkruhej se edhe ata që e grisin këtë letër janë të shpërblyer me të njëjtin dënim. Dëshmitarët okularë bëjnë të ditur se ishin të shumtë ata që e lexonin dhe largoheshin me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Ndërsa letra nga shtylla u zhduk vetëm pas reshjeve të shiut.

Në kushtet e mohimit të koncepteve të civilizimit dhe nën presionin e rreth 35 mijë milicëve e 40 mijë ushtarëve serbë që veprojnë në një territor të vogël si ai i Kosovës, shqiptarët atje duket se janë të gatshëm të bëjnë divorc me politikën e Rugovës. Deri tani i vetmi konkluzion që mund të nxirret është se për shqiptarët nuk ka kohë për të humbur dhe çdo ditë që kalon sjell gjithnjë më pranë një konflikt real. Kur populli shtyhet deri në dëshpërim, jeta nuk ka më ndonjë çmim.(Botuar në Gazeta Shqiptare, viti 1997)




Skip to toolbar