Kurti: S’do marrim vaksina nga Rusia e Kina

KOSOVA


Në momentin që do të zgjidhej kryeministër i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se gjëja e parë që do të ndërmerrte në drejtim të luftimit të COVID-19 do të jetë edhe alokimi i fondeve të përshtatshme për vaksinimin dhe një program përparësish në lidhje me grupet shoqërore që duhet të vaksinohen së pari.

Në këtë drejtim, ka thënë Kurti, “kemi në plan të kemi 60 për qind të popullsisë të vaksinuar gjatë këtij viti, në bashkëpunim me BE-në”.


“Kur unë u largova nga detyra më 3 qershor të vitit të kaluar, kishim vetëm 30 vdekje dhe numri i njerëzve të kuruar ishte tre herë e gjysmë më i lartë se rastet aktive. Që kur kam lënë detyrën, kemi pasur më shumë se 1500 vdekje”, ka thënë Kurti në një intervistë për Euronews,

Në këtë drejtim, kur është pyetur nëse është diskutuar që Kosova të pranojë vaksina nga Serbia siç ka bërë Maqedonia e Veriut, Kurti ka thënë se “ne planifikojmë ta diskutojmë këtë çështje me partnerët tanë, me vendet që na njohën dhe në veçanti me BE-në”.

Për më tej, ai është shprehur prerazi, sa i përket asaj nëse kjo është një “jo” ndaj vaksinave nga Serbia.

“Jo, ne nuk do të marrim vaksina nga Serbia, e cila merr vaksinat nga Rusia dhe Kina. Si për nga vlerat ashtu edhe për nga interesat, orientimi ynë ka qenë gjithmonë drejt Perëndimit”, ka thënë ndër tjerash Kurti.

Një deklaratë të tillë Kurti e ka bërë gjatë një interviste me Euronews, pak ditë pasi Vetëvendosje fitoi zgjedhjet në Kosovë.




Skip to toolbar