Votat “helm” të Serbisë, VV: Të hetohen, janë të paligjshme

AKTUALITET


Lëvizja Vetëvendosje reagoi të dielën pasdite në lidhje me helmimin e 26 personave, që shfaqën shqetësime shëndetësore pasi po numëronin zarfat e votave të ardhur nga Serbia. Në deklaratën për shtyp, Vetëvendosje kërkon nisjen e hetimit për zbardhjen e shkaqeve të helmimit. “Helmimi i punonjësve të operacionit të votimit përmes postës ka shqetësuar familjarët e stafit, por edhe opinionin publik. Autoritetet shtetërore duhet të hetojnë shkaqet e këtij helmimi, ashtu siç duhet të hetojnë pakot e ardhura nga Serbia në mënyrë të organizuar nga shteti i Serbisë”, shkruhet në deklaratën e Vetëvendosjes.

Më tej, subjekti fitues i zgjedhjeve të 6 tetorit në Kosovë, shprehet se fletëvotimet nuk kanë ardhur me postë, siç e përcakton ligji, por janë sjellë nga zyra ndërlidhëse e Serbisë. Ndaj, Vetëvendosja kërkon që këto fletëvotimi të shpallen të paligjshme. “Këto pako me fletëvotime nuk kanë ardhur përmes postës, ashtu siç e kërkon ligji për zgjedhje, por janë sjellë kundërligjshëm nga zyra ndërlidhëse e Serbisë. Këto fletëvotime të sjellura kundërligjshëm duhet të refuzohen”.

Në fund, Vetëvendosja bën thirrje për numërimin e vletëve të votimit të dërguara nga emigrantët që jetojnë jashtë vendit.  “Ndërsa shërbimi profesional i KQZ-së duhet ta vazhdojë punën në vlerësimin dhe numërimin e saktë të votave të ardhura nga mërgata. Pakot me fletëvotime të dërguara nga bashkatdhetarët, e të cilat janë verifikuar dhe vlerësuar, duhet të dërgohen në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve për t’u numëruar”, përfundon deklarata.



Skip to toolbar