Votimi në Kuvend i dy kandidatëve për Gjykatë Kushtetuese, Elsa Toska dhe Fiona Papajorgji, i ka ngushtuar hapësirat dhe më shumë kreut të shtetit Ilir Meta mbi zgjedhjen e tij të dytë për këtë gjykatë, edhe nëse ai do e atakojë në ndonjë gjykatë mos njohjen e “pezullimit” të tij nga ana e KED. Duke votuar Toskën dhe Papajorgjin, Kuvendi i Shqipërisë ka plotësuar me pesë vende Gjykatën Kushtetuese, ndërkohë që KED po vijon punën për të plotësuar vakancat e tjera.
Realstory.al kishte paralajmëruar që në muajin gusht se listat e kandidatëve do t’i shkonte fillimisht kreut të shtetit, duke e detyruar atë që të zgjidhte para Kuvendit dy kandidatët e vet. Për vakancën e parë, Meta veproi brenda afateve, duke zgjedhur Besnik Muçin, i cili nesër (të martën) pret vendimin në shkallën e dytë të vettingut, ndërsa për vakancën e dytë, ai zgjodhi të kërkonte pezullim sipas procedurës administrative. Por, KED duket iu përmbajtur ligjit për Gjykatën Kushtetuese, nuk e njohu këtë pezullim dhe të nesërmen e skadimit të afatit botoi listën e kandidatëve në fletoren zyrtare, duke sjellë kështu zgjedhjen e Arta Vorpsit për anëtare të Gjykatës Kushtetuese. Edhe pse Meta nuk e njohu këtë procedurë, të cilën ndoshta do ta atakojë në Gjykatë (por që sipas ligjit mund ta kërkojë vetëm në Gjykatën Kushtetuese), Kuvendi është treguar i kujdesshëm për të mos i lënë hapësira boshe kreut të shtetit. Edhe pse Kuvendi i Shqipërisë, në seancën e së hënës mund të zgjidhte një nga katër kandidatët që i ishin dërguar nga KED, e njëjta listë që iu dërgua Presidentit, konkretisht, Arta Vorpsi, Elsa Toska, Besnik Muçi dhe Fiona Papajorgji. Në këto kushte, duke qenë se Muçi është dekretuar nga Meta dhe Arta Vorpsi është e para për vakancën që Meta nuk është shprehur zgjodhi Toskën dhe Papajorgjin që t’i hapte rrugë Kushtetueses. Sa i përket Vorpsit, duke qenë se Meta ka lënë të kuptojë se nuk do e njohë vendimin e KED që të zgjidhet e para në listë, Kuvendi është treguar i kujdesshëm që sërish mos ta votojë emrin e Vorpsit, pasi kjo përplasje mund të shkaktonte një anëtar më pak në Gjykatën Kushtetuese, duke e shtyrë dhe më shumë funksionimin e saj.
Tashmë, ajo që i intereson Metës, në kohën që Gjykata Kushtetuese është drejt plotësimit, në pamundësi për ta bllokuar, duket se është influenca që ai do që të ketë ndaj saj. Një skenar i mundshëm që po diskutohet është pikërisht ai me emrin Marsida Xhaferllarit, e afërt me opozitën. Por, si kërkon Meta të mbrojë këtë skenar, kur Xhaferrllari është renditur e katërta, kur ai mund të emërojë vetëm një nga tre të parët?
Marsida Xhaferllari ka kandiduar vetëm për vakancën e shpallur nga Presidenti Meta më 4 mars 2018, për të cilën kreu i shtetit nuk u shpreh. Për këtë kanë kandiduar Arta Vorpsi, Fiona Papajorgji, Elsa Toska, Marsida Xhaferllari. Kjo vakancë është e treta në radhë dhe pikërisht për këtë arsye, Meta kërkonte që Kuvendi të zgjidhte anëtarin për vakancën e dytë, ku edhe për këtë vakancë është e njëjta listë me këto katër emra, pasi duke zgjedhur Kuvendi një nga tre të parat, Meta do të dilte me tezën (kjo pritet të vlerësohet gjatë ditëve në vijim) se nuk janë tre emra, pasi një prej tyre është zgjedhur nga Kuvendi dhe do të kërkonte që në garë të hyjë e katërta për të plotësuar treshen, e cila është Marsida Xhaferllari dhe që do të tentonte emërimin e saj me ndonjë nga argumentet e tij, ashtu siç i përdori edhe për zgjedhjen e Besnik Muçit, ku një prej argumenteve bindëse ishte se “ai është i vetmi mashkull në garë”. Pra, ky mund të ishte një skenar që do të përdorej nga Meta, nëse KED do i kishte dhënë kohë për pezullimin e kërkuar prej tij. Por, tashmë duket se Meta mund të gjejë zgjidhjen e kësaj çështjeje vetëm duke iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese, ose të vendosë veton, duke bllokuar betimin e Arta Vorpsit dhe të dekretojë Xhaferllarin që do të sillte një tjetër përplasje që kërkon zgjidhje në Gjykatën Kushtetuese, ose mazhoranca dhe KED të mbyllin “një sy” dhe ta lejojnë një veprim të tillë për të nxjerrë jashtë gare Arta Vorpsin. Realstory.al