Vranë shqiptarin në Athinë në 2008, Gjykata e Korçës refuzon ekstradimin e dy autorëve

AKTUALITET


Gëzim Latja dhe Armando Tarushllari, dy personat që u arrestuan tri ditë më parë nga policia e Korçës, pasi dyshohen si të përfshirë në vrasjen e një 25-vjeçari shqiptar në Athinë në vitin 2008, do të vijojnë të mbeten pas hekurave.

Gjykata e Korçës vendosi, këtë të premte, masën “arrest në burg” për 41-vjeçarin dhe 52-vjeçarin. Procesi gjyqësor në ngarkim të tyre do të vijojë në Shqipëri, pasi gjykata vendosi të refuzojë ekstradimin e tyre në Greqi.


Ata u ndaluan pas një hetimi të përbashkët mes autoriteteve shqiptare dhe greke për ngjarjen e rëndë që përfundoi me një viktimë pas një konflikti për motive të dobëta. Asokohe në kryeqytetin helen mbeti i vrarë Arjan Xhambazi nga Pogradeci dhe u plagos një tjetër.

Autoritetet greke deri tri ditë më parë kishin mundur të identifikonin dhe ndalonin vetëm njërin prej tre autorëve të dyshuar të ngjarjes.

Si rezultat i hetimeve, Policia e Korçës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Korçës, bëri të mundur identifikimin dhe ndalimin e shtetasve: G. L., 41 vjeç, banues në Elbasan dhe A. T., 52 vjeç, banues në Tiranë, për të cilët Prokuroria kishte nxjerrë urdhër-ndalimi për veprën penale “Vrasja me dashje, kryer në bashkëpunim”, thuhej në njoftimin e policisë për ndalimin e tyre.




Skip to toolbar