Adriano Mhillaj 22 vjec, Florin Mhillaj 36 vjeç dhe Renato Mhillaj 23 vjeç, u shpallën në kërkim nga policia në lidhje me vrasjen që tronditi dje Lezhën, ku u vranë me armë zjarri çifti i bashkëshortëve Kreshnik dhe Gentiana Mujeci.
Pista kryesore ku po hetohet është hakmarrja. Renato Mhillaj është djali i Gegë Mhillaj i vrarë në vitin 2016, vrasje për të cilën ishte i dyshuar Kreshnik Mujeci që u ekzekutua dje, bën me dije gazetari Igli Çelmeta.
Ndonëse Kreshnik Mujeci dyshohej për krimin, Gjykata e Shkodrës e kishte shpallur të pafajshëm atë dhe kushëririn e tij, në një vendim të vitit 2018.
Lidhur me krimin e ndodhur dje në Balldren, policia bëri me dije: “Nga dinamika e ngjarjes rezulton se automjeti tip “Audi A4” ka mbajtur në vëzhgim lëvizjen e shtetasit Kreshnik Mujeci. Më pas, një automjet tjetër, tip “Volkswagen”, pa targa, dyshohet se i ka prerë rrugën automjetit me të cilin udhëtonte shtetasi Kreshnik Mujeci, së bashku me bashkëshorten e tij, dhe shtetasit që ishin në automjet kanë qëlluar me breshëri armësh në drejtim të automjetit të tij. Nga veprimet e mëtejshme hetimore dyshohet se vrasja ka ndodhur për arsye hakmarrjeje”.
