Vrasja e ish-policit, kamerat çojnë në pranga një person

AKTUALITET


Rreth 20 ditë pas vrasjes së bujshme të ish-policit Santiago Malko, Policia e Tiranës ka ndaluar një shtetas i cili dyshohet se është bashkëpunëtor në ekzekutimin e 27-vjeçarit. Blutë nuk japin emrin e personit të arrestuar, vetëm inicialet e tij, B.T., 39 vjeç. Sipas Policisë, i arrestuari dyshohet se ka dijeni për ngjarjen dhe ka penguar zbardhjen e të vërtetës.

Kanë qenë kamerat e sigurisë në zonën ku ndodhi krimi, ato që kanë zbuluar identitetin e këtij personi. Mësohet se i arrestuari, para se të ndodhte vrasja, është parë duke lëvizur disa herë në zonën e “Xhamllikut”.

Sipas Report Tv, policia ka ngritur dyshime ndaj personit të arrestuar, duke kërkuar më pas ndalimin e tij. Por, gjatë dëshmisë në polici,  39-vjeçari i arrestuar ka deklaruar se “kam qenë vetëm kalimtar i rastit, nuk kam lidhje me ngjarjen”.

Por kjo deklaratë nuk ka mjaftuar, pasi grupi hetimor dyshon se personi i arrestuar ka informacione për ngjarjen. Santiago Malko  u vra 20 ditë më parë në zonën e “Xhamllikut” në një atentat, kur ai ishte duke drejtuar mjetin e tij.

Malko, kishte qenë më herët punonjës policie, por ishte larguar nga radhët  e uniformave Blu. Ai dyshohet se ka qenë i përfshirë në disa ngjarje të tjera kriminale, përfshi dhe atë të datës 4 tetor 2018, ku në zonën e ish-Bllokut, u vra Fabian Gaxhaj, dhe mbeti i plagosur Ervis Martinaj dhe Elio Hato. Për vrasjen e Santiago Malkos, policia vijon ende hetimet.



Skip to toolbar