Disa detaje të reja kanë dalë nga vrasja e 20-vjeçarit Pavlin Preka një ditë më parë në fshatin Guci e Re të Shkodrës.
Policia vendore e Shkodrës ka shoqëruar deri më tani afro 20 persona, të cilët janë komshinj, shtetas që mund të kenë dijeni për viktimën apo edhe të tjerë që njihen si problematik në zonë. Mësohet se të gjithë janë marrë në pyetje ndërsa deri më tani nuk ka asnjë autor të dyshuar të ngjarjes.
Sakaq mësohet se i riu jetonte mes Dukagjinit dhe Gucisë bashkë me babanë dhe vëllain e tij teksa merren me bagëti atje. Viktima kishte 4 ditë që kishte ardhur në shtëpi ndërsa janë ende të paqarta motivet e kësaj vrasje duke mos patur ende një pistë hetimi. Familjarët kanë deklaruar se nuk e kanë idenë se kush mund të jetë autori sepse nuk kanë qenë në dijeni të ndonjë konflikti.