Vrasja në Rrëshen, ekzekutohet në sy të fëmijëve “ushtari” i Met Kananit

AKTUALITET


Një atentat me armë zjarri ka ndodhur mesditën e së hënës në qytetin e Rrëshenit ku ka mbetur i vdekur shtetasi 48 vjeçar Armando Gjini, cili njihej nga të gjithë me emrin Tonin Gjini.

Gjini është qëlluar me armë zjarri në qendër të qytetit dhe është dërguar me shenja jete në spital, por më pas ka ndërruar jetë.


Grupi hetimor në vendngjarje ka nisur hetimet dhe ka ngritur disa pika pika kontrolli për të bërë të mundur kapjen e autorëve.

Dyshimet e para për ekzekutimin e tij lidhen me të kaluarën kriminale të viktimës. Armando Gjini njihet si anëtar i bandës së Met Kananit, super-trafikantit të arrestuar në Turqi, i cili akuzohet se ka trafikuar nga Shqipëria, përmes Greqisë dhe Maqedonisë në drejtim të vendit turk tonelata me kanabis dhe droga të forta si kokainë e heroinë nga Afganistani dhe Irani.

Met Kanani njihet nga mediat turke si “Eskobari shqiptar” për shkak të famës që ai ka marrë atje si koka e një rrjeti të madh të trafikut të lëndëve narkotike përfshirë edhe heroinë e kokainë.

Gjini u arrestua vitin e kaluar në datë 12 maj si pjesë e grupit të baronit të drogës, Met Kanani. Vitin e kaluar në kuadër të operacionit ‘Precizioni’ Gjini u arrestua së bashku me 37 persona të tjerë, ndërsa u sekuestruan 8 ton drogë. Ushtria e Met Kananit shkëmbente kanabisin nga Shqipëria me heroinë nga Turqia. Por 4 ditë pas arrestimit Gjini u lirua nga burgu.

3 muaj më parë Armando Gjinit i vendosën një sasi eksplozivi në sediljen e automjetit. Ai diktoi pakon e eksplozivit pasi dërgoi fëmijët në shkollë duke njoftuar menjëherë forcat xheniere. Bomba shpërtheu menjëherë sapo u prek në tentativë nga forcat xheniere për ta nxjerrë pakon nga makina.

Ndërsa ditën e hënë Gjini është qëlluar në makinën e tij në mes të Rrëshenit në sy të dy fëmijëve.




Skip to toolbar