Vritet në Holandë Presidenti i vetëshpallur i Republikës së Çamërisë, Festim Lato?

AKTUALITET


Festim Lato, i vetëshpallur si ‘President i Republikës së Çamërisë’ është vrarë në Holandë. Në lidhje me ngjarjen nuk ka asnjë informacion zyrtar as nga autoritete holandeze dhe as ato shqiptare. Vrasja e tij është bërë me dije nga miqtë dhe familjarët e tij në rrjetet sociale.

Ali Aliu, i vetëshpallur si “Kryeministri i Republikës së Çamërisë”, ka shkruar në rrjetet sociale se Festim Latos i është bërë atentat në Holandë, ndërsa familjarët e tij janë lajmëruar nga policia holandeze. Në statusin e tij, Aliu e cilëson krimin për motive politike.

“Në Holandë nga vrasës të paidentifikuar, iu bë atentat presidentit të Republikës së Çamërisë z. Festim Lato. Për vrasjen e Festim Latos, sot familjen Lato në Vlorë e njoftoi Policia Holandeze. Me këtë rast Qeveria e Republikës së Çamërisë i shpreh ngushëllime Familjes Lato nga Vlora, miqëve dhe shokëve të tij. Vrasja e Presidentit të Republikës së Çamërisë, Festim Lato është vrasje me motive politike. Festim Lato është heroi i parë Republikës së Çamërisë. Festim Lato, dritë t u bëftë gjaku o trim! Çamëria është gjaku ynë që s´falet! Lavdi që të patëm” shkruan, Ali Aliu

Ndërsa i vëllai i viktimës, Xhemil Lato tha për mediat se ishte kontaktuar mbrëmjen e të shtunës nga autoritetet holandeze për t’i dhënë lajmin e vrasjes në një atentat, ndërsa tha se nuk ka asnjë detaj tjetër për ngjarjen.

Festim Lato jetonte në Holandë prej vitesh dhe ishte vetëshpallur si ‘President i Republikës së Çamërisë’. Lato ka edhe një histori të gjatë me drejtësinë. Ai është dënuar disa herë për mashtrim me mijëra euro, pas denoncimeve nga shumë persona në Shqipëri dhe Kosovë, para që i merrte nga qytetarët me justifikimin për kauzën e Çamërisë.



Skip to toolbar