Aleksandër Vuçiç, presidenti i Serbisë, tha se problemi me Kosovën duhet të zgjidhet në mënyrë të përhershme, ndërsa ka kritikuar ndërkombëtarët të mos mbajnë vetëm anës e saj, por të kuptojnë edhe qëndrimet e serbëve. Gjatë fjalës së tij në samitin e OKB-së, Vuçiç deklaroi se pavarësisht veprimeve të njëanshme të Kosovës, Serbia ka reaguar në mënyrë të moderuar.
“Për problemin e Kosovës duhet zgjidhje e përhershme, e cila duhet të arrihet në atë mënyrë që asnjëra palë të mos fitojë gjithçka, por mjaftueshëm. Kemi filluar të luftojmë për një zgjidhje të përhershme dhe presim që bota t’i kuptojë qëndrimet dhe argumentet tona dhe të mos e mbështesë palën e kundërt, siç ka bërë nga viti 1999 deri më 2008. Në gjithë këtë kohë, Serbia ka reaguar në mënyrë të moderuar dhe me përgjegjësi ndaj veprimeve të njëanshme të Prishtinës, duke mos vendosur kundërmasa dhe duke bërë përpjekje të qetësojë situatën”, tha Vuçiç i cili iu referua edhe taksës 100 % ndaj produkteve serbe nga qeveria e Kosovës. Vuçiç tha se si pasojë e kësaj takse Serbia ka humbur 350 milionë euro si dhe ka vënë në rrezik jetën normale dhe të dinjitetshme të serbëve në Kosovë.
Pavarësisht thirrjeve të BE dhe SHBA për të hequr apo edhe pezulluar taksën, Ramush Haradinaj duket i palëkundur për ta hequr atë deri në njohjen reciproke nga Serbia.