Vuçiç: Perëndimi po kërkon njohjen e Kosovës dhe sanksione kundër Rusisë

BOTA


Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç akuzoi të shtunën perëndimin se po ushtron trysni mbi Serbinë për të njohur Kosovën, për t’i vënë sanksione Rusisë dhe për të vendosur siç tha, një regjim “kukull” në vendin ballkanik.

Ai i bëri këto komente në një konferencë shtypi në Beograd, pak orë para se Partia e tij Përparimtare Serbe të shpallte vendimin për zgjedhje të reja në kryeqytetin serb, të cilat janë përcjellë më shqetësime të thella për keqpërdorime.

Presidenti serb i bëri thirrje qeverisë së tij të zbatojë menjëherë rekomandimet e raportit të OSBE/ODIHR-ut për zgjedhjet parlamentare dhe lokale të 17 dhjetorit në Serbi, shkruan VOA.

Në raport thuhet se zgjedhjet u mbajtën në kushte të padrejta dhe u “dëmtuan nga retorika e ashpër, anshmëria në media, trysnia ndaj punonjësve të sektorit publik dhe keqpërdorimi i burimeve publike”.

Opozita ngulë këmbë se asaj iu vodh fitorja në Beograd dhe i gjithë procesi zgjedhor ishte i parregullt.

Presidenti serb tha se në kuadër të trysnisë perëndimore për njohjen e Kosovës përfshihet edhe kërkesa që Serbia të heq dorë nga mbështetja për Republikën Serbe në Bosnje. Ai tha se zhvillimet në Ukrainë nuk po rrjedhin sipas pritjeve të perëndimit dhe Rusia mund ta përdorë Kosovën si precedent.

“Meqë këtë e dinë në perëndim, është me rëndësi që të mbulohet kjo çështje dhe do të rritet trysnia mbi Serbinë, por jo edhe mbi (kryeministrin e Kosovës Albin) Kurtin. Atij do t’i bëhet trysni vetëm sa të mos krijohet një situautë kur Serbia duhet të reagojë, e këtë nuk e duam as ne”, tha presidenti serb, duke theksuar se në ditët në vijim “do të detyrohemi të marrim vendime të ndryshme me të cilat do të gjejmë zgjidhje alternative për të dërguar paratë, që janë paga e pensione për njerëzit tanë në Kosovë”.



Skip to toolbar