Zaloshnja: Aftësia kapëse e sistemit të testimit për COVID-19

CORONAVIRUS


Nga Eduard Zaloshnja

Sistemi i testimit për COVID-19 ndryshon nga shteti në shtet, madje edhe i njëjti shtet mund ta ketë ndryshuar strategjinë e testimit gjatë ecurisë së pandemisë. Për këtë arsye, krahasimet mes shteteve për rastet e konfirmuara deri më sot me COVID-19 nuk janë shumë informuese (madje edhe krahasimet kohore brenda një shteti mund të mos jenë informuese, për shkak të ndryshimit të strategjisë së testimit në mes të epidemisë.)


Në këto kushte, vlen të krahasohet numri i të infektuarve aktualë në gjendje jo të rëndë (të konfirmuar nga sistemi i testimit), për çdo të sëmurë rëndë/kritik (që kërkon respirim/intubim). Këta të fundit (për fatin e tyre të keq) janë lehtësisht të evidentueshëm nga sistemi shëndetësor, mediat dhe shoqëria civile pothuaj kudo në botë (ndryshe nga shifrat e raportuara zyrtarisht për testet e kryera për milion banorë).

Sot në Shqipëri janë zyrtarisht 231 persona me COVID-19 (131 të tjerë janë shëruar). Nga këta 231 persona, 11 janë në gjendje të rëndë/kritike  (në respirim/intubim).  Pra për çdo pacient që është sot në respirim/intubim  me COVID-19, sistemi ynë i testimit ka kapur edhe 20 raste aktive të tjera (që janë aktualisht në gjendje jo të rëndë).

Aftësinë kapëse më të lartë të testimit në Ballkan e ka aktualisht Bosnja me 160 raste aktive në gjendje jo të rëndë, për çdo pacient në respirim/intubim. Ndërsa aftësinë kapëse më të ulët të testimit në Ballkan e ka aktualisht Greqia, me 15 raste aktive në gjendje jo të rëndë, për çdo pacient në respirim/intubim.

Aktualisht në botë, aftësinë kapëse më të lartë të sistemit të testimit e kanë Emiratet e Bashkuara Arabe, me 1900 raste aktive në gjendje jo të rëndë, për çdo pacient në respirim/intubim.




Skip to toolbar