Zaloshnja: Përveç karantinës masive, edhe testime masive

CORONAVIRUS


Nga Eduard Zaloshnja

Një epidemi infektive lokale kthehet në një pandemi (epidemi e shpërndarë në shkallë botërore), kur funksionojnë të tre tre llojet e infeksionit: infeksioni i importuar, infeksioni komunitar dhe infeksioni familjar.


Qysh me konfirmimin e ratit të parë të COVID-19 në Shqipëri, qeveria jonë ndërmori masa shtrënguese për ndërprerjen e infeksionit të importuar dhe atij komunitar – duke mbyllur kufijtë (për të ndalur vazhdimin e infeksionit të importuar ) dhe duke kufizuar daljen nga shtëpitë (për të zvogëluar infeksionin komunitar). Por shumë pak është bërë për të zvogëluar infeksionin familjar…

Qeveria është mjaftuar vetëm me këshilla për larjen e shpeshtë të duarve dhe mbajtjen e distancës më shumë se një metër. Por këshillimi, sidomos në popuj ku mbizotëron mentaliteti fatalist “ç’është e shkruar do të ndodhë”,  nuk është i mjaftueshëm.

Prandaj dhe udhëzimi më i fundit i OBSH-së rreth COVID-19 ka si kryefjalë një fjalë të përsëritur 3 herë: “Testime, testime, testime”. Sipas OBSH-së testimet u duhen bërë të gjithë njerzve që kanë patur kontakt me një të infektuar, sepse edhe nëse nuk kanë simptoma, mund të infektojnë të tjerët. Kështu sipas një studimi të fundit të Oksfordit, rreth gjysma e popullsisë së Britanisë së madhe mund ta ketë kaluar COVID-19 qysh nga janari deri më sot, pa shfaqur simptoma ose me simptoma të lehta. Ndërsa virologu italian Andrea Crisanti ka deklaruar për gazetën “Corriere della Sera” se në Itali ka aktualisht rreth 450 mijë të infektuar, nga 69 mijë të konfirmuar zyrtarisht.

Në fakt, disa vende (Korea, Tajvani, Singapori, Hong-Kongu, Gjermania, Barehini, Islanda etj.) e filluan testimin masiv qysh në fillimet e shpërndarjes së infeksionit, pa pritur këtë udhëzimin e ri të OBSH-së. Logjika e testimit masiv bazohet tek rritja e kujdesit për mospërhapje brenda familjes. Në rastin kur një pjestar i saj rezulton i infektuar, edhe pse nuk ka simptoma, vetëdistancohet menjëherë nga pjestarët e tjerë të familjes.

Nga rastet e konfirmuara deri më sot në Shqipëri, duket qartë se infeksioni familjar ka vepruar përkrah atij të importuar apo komunitar. Prandaj ka ardhur koha (për të mos thënë se ka kaluar) që qeveria shqiptare të ndjekë udhëzimin më të fundit të OBSH-së: “Testime, testime, testime, për çdo njeri që mund të jetë ekspozuar ndaj koronavirusit aktual, pavarësisht nëse ka simptoma apo jo”.

Në fakt, për testimet e shtuara duhen para shtesë nga buxheti. Por nuk duhet harruar se buxheti humbet shumë herë më tepër nga zgjatja e epidemisë, si nga paketa fiskale për zbutjen e pasojave të saj, ashtu edhe nga tatimet e taksat që do të gjeneronin bizneset e mbyllura (po të ishin të hapura)…




Skip to toolbar