Zbardhet axhenda, ekspertët e Venecias përjashtojnë Bashën nga takimet

AKTUALITET


Komisioni i Venecias ka zbardhur të shtunën axhendën e takimeve që ekspertë e delegacionit të tij do të zhvillojnë në Tiranë ditën e hënë. Ajo që bie në sy në axhendën e delegacionit të Komisionit të Venecias është se nuk është parashikuar asnjë takim me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha.

Delegacioni do të ketë takime në Kuvend, me mazhorancën dhe opozitën parlamentare, me Presidentin, kryeministrin, ministrin e Brendshëm, përfaqësues të KQZ, por në axhendën e tij nuk është parashikuar të takohet me kreun e PD-së, Lulzim Bashën, i quajtur njëherësh dhe si kreu i opozitës joparlamentare.

“Një delegacion i Komisionit të Venecias do të vizitojë Shqipërinë në kuadër të përgatitjes së draft-opinioni mbi kompetencat e një Presidenti për të caktuar datat e zgjedhjeve në një sistem parlamentar. Delegacioni do të takojë autoritetet e mëposhtme shqiptare:

Presidentin e Shqipërisë, Kryeministrin, Kryetarin e Kuvendit dhe përfaqësuesit e mazhorancës dhe opozitës në Kuvend, përfshirë Komisionin e Posaçëm Hetues, si dhe Ministrin e Brendshëm, përfaqësuesit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në njoftimin zyrtar të publikuar nga Komisioni i Venecias, ndërsa shton se draft-opinioni do të prezantohet në tetor.

Në të njëjtën ditë që do të vijë delegacioni i Venecias, 9 shtator, do të dëshmojë para Komisionit Hetimor vetë Presidenti Ilir Meta.

Ky delegacion vjen me kërkesë të Kuvendit të Shqipërisë, që dëshironte një opinion lidhur me nismën e ndërmarrë nga deputetët për shkarkimin e Ilir Metës, pasi ky i fundit anuloi 30 qershorin.

Kujtojmë se më 8 qershor, Meta firmosi një dekret për anulimin e 30 qershorit, vendim i cili u gjuajt anti-Kushtetues nga KQZ dhe Kolegji Zgjedhor dhe lokalet u mbajtën në datën e caktuar që prej vitit të kaluar nga Presidenti.



Skip to toolbar