Shehi zbulon kompromisin për zgjedhje të parakohshme

AKTUALITET


Ulja e opozitës në tryezën e bisedimeve me maxhorancën për reformën zgjedhore duket se nuk është arritur pa një marrëveshje paraprake mes palëve. Kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, ka zbuluar se është bërë një kompromis. Ai thotë se të ishte për të do ta kishte ndryshuar me kohë sistemin zgjedhor, por ka pranuar që ai të mos preket, vetëm nëse shkohet në zgjedhje të parakohshme. Më tej, Shehi thotë se ka elementë të opozitës që nuk duan zgjedhje të parakohshme dhe do ta lënë këtë çështje të rrjedhë ngadalë deri sa të vijë viti 2021, kur do të mbahen zgjedhjet normale parlamentare.

 “Unë do ta kisha ndryshuar me kohë sistemin, por kemi bërë një kompromis ku, në shkëmbim të zgjedhjeve të parakohshme, kemi pranuar që të hyjmë në zgjedhje me çfarëdolloj sistemi. Nëse hyjmë në zgjedhje në 2021, mendoj se ka kohë që të ndryshohet sistemi. Mazhoranca nuk do zgjedhje të reja, por edhe brenda opozitës ka elementë që presin që dalëngadalë të “rrëshqasim” drejt vitit 2021. Mungon vullneti politik, pasi po të kishte vullnet, Reforma Zgjedhore mbyllet për dy javë. Janë gjëra që janë diskutuar më parë. Nëse duhen dy muaj për t’i hapur rrugën marrëveshjeve të tjera politike, kjo është çështje tjetër. Por, për një reformë që nuk prek sistemin, dy muaj janë shumë dhe ia kam bërë të qartë edhe kolegëve opozitarë. Të shikojmë se si do të shkojë Reforma Zgjedhore, edhe pse e di fort mirë se nuk mjafton ajo për të bërë një palë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Duhet polici e depolitizuar, ambient mediatik që të mos jetë në shërbim të qeverisë dhe një ambient që të trembë kriminelët që mbledhin vota,”- tha kreu i LZHK-së në një intervistë për A2neës.


Pas uljes në tryezën për reformën zgjedhore, kreu i PD-së Lulzim Basha dhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, thanë se konsensusi për këtë reformë nuk e cënon aksionin e opozitës që janë zgjedhjet e parakohëshme, madje edhe rikthimi tek protestat.




Skip to toolbar