Zbardhet urdhri i dëbimit të gylenistit Harun Çelik. Nuk pati kohë për apelim

Rreth tre javë pas dëbimit nga Shqipëria, të mësuesit turk Harun Çelik, i dyshuar si mbështetës i lëvizjes “Gylen” në Turqi, është zbardhur urdhri i dëbimit. Sipas dokumentit të publikuar nga Balkanweb, mësuesit Harun Çelik nuk i është lënë asnjë ditë kohë për apelim, duke e larguar në mënyrë të menjëhershme nga Shqipëria.

“Afati i largimit nga territori jo më shumë se 0 ditë nga dita e njoftimit”, thuhet në urdhrin e dëbimit. Megjithatë, në një tjetër pikë të këtij urdhri thuhet se Harun mund të bëjë ankimim sipas ligjit për të huajt. “Kundër këtij urdhri mund të bëhet ankesë mbështetur në nenin 122 të ligjit nr.108/2013 ‘Për të huajt’”.

Por, shtetasi turk nuk ka pasur kohë në dispozicion për të kryer apelimin, pasi ai u dëbua nga Shqipëria në datën 1 janar. Gjithashtu, sipas shkresës, thuhet se mësuesi turk nuk i plotëson kushtet e qëndrimit në Shqipëri. Mësuesit turk, Harun Çelik nuk i lejohet të futet në Republikën e Shqipërisë për një periudhë 5-vjeçare.

Ai u dëbua për në Turqi, pasi në vendin tonë vuajti dënimin për veprën penale “falsifikim i dokumentave”. Ai tentoi gjatë vitit 2019 të kalonte nëpërmjet Shqipërisë, pikës kufitare të Rinasit, për në Kanada. Harun Çelik do të përdorte dokumente kanadeze të falsifikuara për t`u larguar, por u arrestua pasi u pikas nga autoritetet shqiptare. Për këtë veprim ai vuajti dënimin me 5 muaj burg.

Harun Debimi

U deportua nga Shqipëria, gjykata vendos paraburgim për Harun Çelik

Shtetasi turk, Harun Çelik, që u deportua nga Shqipëria në 1 janar, është njohur me masën e sigurisë nga një Gjykatë në Stamboll. Çelik, që dyshohet se është pjesë e organizatës “FETO”, e cilësuar si organizatë terroriste në Turqi, do të qëndrojë në paraburgim me akuzat për “pjesëmarrje si anëtar në organizatë të armatosur terroriste”. Harun Çelik, me profesion mësues në moshë 42-vjeçare, u arrestua në korrik të vitit të kaluar në Shqipëri. Ai u arrestua pasi tentoi të kalonte kufirin drejt Italisë me letra të falsifikuara. Në përfundim të dëntimit, autoritetet shqiptare e deportuan atë drejt Turqisë.

Sipas të dhënave, 42-vjeçari Çelik është kapur rreth pesë muaj më parë, pasi gjatë kontrollit në Rinas, në pasaportën e tij është gjetur një vizë kanadeze, e cila dyshohej se ishte e falsifikuar. Policia ka vendosur menjëherë arrestimin e tij, ndërsa prokuroria e ka dërguar në gjykatë për mbajtje të dokumenteve false. Sipas të dhënave nga gjykata, Çelik është dënuar me 5 muaj burg dhe pikërisht më 1 janar 2020 ka përfunduar dënimin, të cilin e vuante në burgun 302 në Tiranë.

Menjëherë pas kryerjes së dënimit, autoritetet e burgut kanë kryer veprimet për lirimin e tij, por Drejtoria e Emigracionit, e cila ka selinë e vet në Laprakë, ka marrë në dorëzim turkun, pasi rezultonte se ai kishte hyrë në Shqipëri ilegalisht dhe në bazë të ligjeve ndërkombëtare deportohet në vendin nga ka ardhur në Shqipëri.

Burime të larta zyrtare pranë Ministrisë së Brendshme shpjeguan se pranë Drejtorisë së Emigracionit janë kryer të gjitha procedurat dhe turku 42-vjeçar nuk ka paraqitur asnjë pretendim dhe nuk ka kërkuar azil në Shqipëri. “Në këto kushte, me firmosjen e dokumentit nga ana e tij, autoritetet shqiptare e kanë deportuar menjëherë nëpërmjet Rinasit”, deklaroi burimi i lartë zyrtar, raportoi Realstory.al dy ditë më parë./Realstory.al/

Skip to toolbar