I hetuari për paratë ruse takon zyrtarin amerikan

POLITIKË


Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, i cili është nën hetim nga prokuroria shqiptare për përdorim të parave ruse gjatë lobimit në SHBA, ka mbajtur një qëndrim më të zbutur kundrejt amerikanëve, marrëdhënie të cilat ishin ftohur dhe ishin nën tension prej disa kohësh mes DASH dhe PD. Kjo zmbrapsje dhe zbutje e Bashës është vënë re gjatë takimit që ka zhvilluar me drejtorin për Europën Qendrore e Jugore në Departamentin e Shtetit, David Kostelancik.

Përmes një twitteri të shkurtër, Basha tha se forcimi i partneritetit strategjik të Shqipërisë me SHBA ka qenë pjesë e diskutimit me zyrtarin e lartë të DASH duke larguar kështu nga vetja çdo dyshim në lidhje me influencën ruse. Rritja e influencës ruse në Shqipëri ka qenë pikërisht arsyeja pse zyrtari i lartë i DASH ka mbërritur për një vizitë zyrtare në Tiranë.

Diskutim i hapur dhe konstruktiv me David Kostelancik, Drejtorin për Evropën Qendrore e Jugore në DASH. U përqendruam në ndalimin e mosndëshkimit për politikanët dhe rikthimin e sundimit të ligjit; përfundimi i kapjes së shtetit dhe korrupsionit dhe forcimi i partneritetit strategjik të Shqipërisë me SH.B.A.” – shkruan Basha, i cili kohët e fundit pati një largim të tij me Departamentin e Shtetit. Kjo ftohje u pa që gjatë protestave, pas kërcënimeve të DASH se nëse PD nuk ndalte dhunën do e përfshinte Bashën në listën e zezë. Që nga ajo ditë, në fjalimet e Bashës, pothuajse nuk kanë ekzistuar SHBA-të, ku ai më së shumti ka vënë theksin te zgjidhja gjermane. Kjo distancë e vendosur mes PD dhe amerikanëve, bëri që Basha të mos shikonte më SHBA si një ndërmjetësuese mes palëve politike për t’i ulur në tryezën e dialogut, por mbështetja dhe shpresat e tij ishin kthyer nga Gjermania. Megjithatë, pas vizitës së zyrtarit të lartë të DASH Kostelancik, kursi i PD duket se do të ndryshojë sërish.



Skip to toolbar