Zgjedhjet në 30 qershor, tërhiqet edhe Meta: Nuk ka dekret tjetër

Më të fundit


Pas deklaratave të Kryeministrit Rama të enjten në Real Story, ku cilësoi se presidenti ka qenë tepër i qartë në deklarata e tij se do të ishte dakord të shtynte datën e zgjedhjeve nëse palët do të ishin dakord” , ka ardhur edhe reagimi i presidentit Meta. Në një intervistë për Deutsche Welle, i pyetur se përse ka pritur kaq gjatë të ulte palët në tavolinë,  Meta tha se Rama “ashtu sikurse kam ndjekur edhe mbrëmë, do doja shumë të isha korrekt, ka qenë qartësisht refuzues për rishikimin e datës me mirëkuptim midis dy palëve për të garantuar zgjedhje gjithëpërfshirëse demokratike. Ashtu sikurse edhe zoti Basha dhe përfaqësuesit e tjerë të opozitës kanë vendosur si parakusht që zoti Rama të mos jetë në një tryezë të tillë në cilësinë e kryeministrit.” 

Presidenti Meta tha gjithashtu se ai do ti vazhdojë përpjekjet e palodhura për rivendosjen e këtij dialogu  të domosdoshëm.

Pjesë nga intervista:

Deutsche Welle: Kur ju të ktheheni nesër në Tiranë, pra të shtunën, opozita do të mbajë protestën e tetë kombëtare në Shqipëri, kundër qeverisë dhe me kërkesën absolute prej së cilës nuk tërhiqet, për dorëheqjen e kryeministrit, duke kërkuar prej muajsh zgjedhje të parakohshme, por njëkohësisht edhe duke paralizuar jetën parlamentare në vend. A nuk ka pritur shumë gjatë presidenti pa reaguar me një ftesë konkrete për dialog mes palëve? Në mënyrë që zgjidhja të gjendet brenda vendit dhe jo me mbështetje nga Berlini, apo diku gjetkë në botë?

Ilir Meta: Ndoshta për koincidencë, në ditën që opozita bëri zyrtare vendimin e saj për të djegur mandatet, unë pata rastin që edhe atë ditë të isha në Berlin për të takuar presidentin gjerman Steinmeier, dhe dhashë një intervistë për Deutsche Wellen, dhe për fat të keq ftesa ime, apo thirrja ime nga të dy palët nuk u dëgjua, në mënyrë që opozita të bënte një hap pas, të mos shkonte drejt zyrtarizmit të këtij vendimi, por edhe maxhoranca të bënte dy hapa pas në mënyrë që të evitohej një përshkallëzim i mëtejshëm i ndarjeve dhe i një krize më të gjerë institucionale dhe përfaqësimi në vend. Por sidoqoftë, asnjëherë nuk është vonë. Unë në mënyrë të vazhdueshme kam nxitur vendosjen e dialogut, por për fat të keq të dy palët kanë vendosur disa kushte që e kanë bërë të pamundur një tryezë apo një takim zyrtar, pasi kryeministri Rama dhe kryetar i Partisë Socialiste, ashtu sikurse kam ndjekur edhe mbrëmë, do doja shumë të isha korrekt, ka qenë qartësisht refuzues për rishikimin e datës me mirëkuptim midis dy palëve për të garantuar zgjedhje gjithëpërfshirëse demokratike. Ashtu sikurse edhe zoti Basha dhe përfaqësuesit e tjerë të opozitës kanë vendosur si parakusht që zoti Rama të mos jetë në një tryezë të tillë në cilësinë e kryeministrit. Megjithatë, përpjekjet e mia do të jenë të palodhura, por edhe çdo kontribut i partnerëve tanë për rivendosjen e këtij dialogu dhe të këtij besimi, është jo vetëm i mirëpritur por është edhe i domosdoshëm.

Deutsche Welle: A mund të mbahen zgjedhjet lokale në këtë situatë, ndërkohë që datën e votimeve ju e keni përcaktuar konform kushtetutës. A ka mundësi shtyrjeje të datës së zgjedhjeve, brenda kuadrit kushtetues?

Ilir Meta: Nuk do të dëshiroja të shprehesha sot për këtë çështje. Ne i dimë edhe përvojat e mëparshme që vendi ynë ka pasur kur ka ekzistuar vullneti dhe përgjegjshmëria për stabilitetin e vendit, për të ardhmen e tij demokratike dhe plotësisht europiane, gjithnjë janë gjetur zgjidhje të mençura. Dhe në këtë drejtim unë nuk do të ndaloj së angazhuari institucionin e presidentit dhe natyrisht personalisht deri në fund për të shmangur çdo alternativë që nuk i shërben jo vetëm stabilitetit të vendit por edhe e largon në horizonte të padukshme mundësinë e çeljes së negociatave apo anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Unë besoj se të dy palët kanë për detyrë t’i përgjigjen vullnetit të gjithë qytetarëve shqiptarë, i cili është në shifra të jashtëzakonshme mbi 90 e ca përqind, për t’ i dhënë këtë mundësi historike Shqipërisë që të çeli së afërmi negociatat me Bashkimin Europian dhe unë besoj, se nëse kjo gatishmëri nga të dy palët do të reflektohet në orët dhe ditët që vijnë, edhe mbështetja nga Bundestagu do të jetë e plotë dhe kjo do të jetë shumë e rëndësishme për kurorëzimin me sukses të këtij qëllimi madhor për vendin tonë.

Së dyti, dua të theksoj se është shumë e rëndësishme për opozitën, meqenëse nesër është paralajmëruar një protestë tjetër e madhe kombëtare, sikurse e përmendët edhe ju, se sa e rëndësishme është vetëpërmbajtja dhe demonstrimi tërësisht paqësor, në mënyrë që kauza e tyre për të pasur zgjedhje me standarde të vërteta europiane, të ketë mbështetje maksimale brenda dhe jashtë vendit. Prandaj, edhe një herë do të apeloja për udhëheqësit e opozitës që të marrin të gjitha përgjegjësitë për të garantuar një manifestim të standardeve europiane, të mos provokohen nga askush brenda tyre por edhe përballë tyre, në këto orë në këto ditë të rëndësishme për vendin tonë.

Lexo intervistën e plotë këtu



Skip to toolbar