Zyrtare: Eden Hazard bëhet lojtar i Real Madrid, nënshkruan për pesë sezone

LA LIGA


Tashmë është zyrtare, Chelsea i jep lamtumirën Eden Hazard. Klubi nga Stamford Bridge ka njoftuar zyrtarisht se “Chelsea dhe Real Madrid kanë arritur një marrëveshje për transferimin e Eden Hazard”, shkruhet në nisje të deklaratës. Më tej skuadra e presidentit Roman Abramoviç, shkruan se Hazard do të bashkohet me Realin pasi të kryejë testet mjekësore dhe do të nënshrkuajë kontratën.

Hazard lë Chelsea si një nga lojtarët e mëdhenj në historinë tonë. Ai ndihmoi ekipin të fitojë Premier Ligën në dy raste, Europa League dy herë, FA Kupën dhe Kupën e Ligës një herë. Ai është votuar si “Chelsea Player of the Year” në një rekord prej katër herësh”, thuhet më tej në deklaratë.


Belgu ka luajtur 352 ndeshje me Blutë e Londës, duke shënuar 110 gola. Ai është një nga lojtarët më të mirë të dekadës së fundit për skuadrën e Chelsea. Drejtoresha e përgjithshme e Chelsea, Marina Granovskaia ka thënë: “Megjithëse është e trishtueshme, i themi lamtumirë Edenit. Ne e respektojmë vendimin që ai ka marrë për të nisur një sfidë të re në një vend tjetër ku do të ndjekë ëndrrën e tij të fëmijërisë për të luajtur me Real Madridin”, është shprehur Granovskia.

Më pas ka qenë Real Madrid, që ka publikuar një deklaratë zyrtare, ku shkruan se “lojtari është i lidhur me klubin gjatë pesë sezoneve të ardhshme, deri më 30 qershor 2024. Eden Hazard do të paraqitet si lojtar i ri i Real Madridit të enjten më 13 qershor në stadiumin “Santiago Bernabeu”, pas testeve mjekësore”, shkruan klubi Los Blancos.




Skip to toolbar