“Zgjedhorja”, Basha: Me “Damianin” bashkëpunojmë, por s`e amnistojmë

#NËRADAR


Lulzim Basha mbajti një konferencë për mediat, i shoqëruar nga ish-deputetë të Partisë Demokratike. Fjala e Bashës u fokusua te tryeza për reformën zgjedhore dhe pranimi për t`u ulur në të njëjtën tryezë me Damian Gjiknurin, të cilin e akuzojnë për blerje të votave në Dibër. Ndaj gazetarët e pyetën për kryedemokratin për mungesë koherence në qëndrime, pasi më herët e kishte cilësuar “simbol të krimit elektoral”, Damian Gjiknurin. Megjithatë, Basha u përgjigj se ishte “e pavërtetë dhe naive”, duke thënë se ky pohim kishte dalë nga  “propaganda e Ramës”.

“Nuk ka asgjë më të pavërtetë dhe naive se kjo. Mund të rri këtu e të habitem sesi propaganda e Ramës ka arritur në këto nivele apo naivitei i njerëzve ka arritur në këto nivele, por kjo nuk është detyra ime. Detyra ime është t’ju tregoj fare qartë se teza se “u legjitimua Damian Gjiknuri” është një tezë e dalë direkt nga kancelaria e Edi Ramës dhe e shpërndarë përmes renegatëve dhe patericave të tij, pre e të cilës mund të ketë rënë edhe ndonjë naiv apo ndonjë person që ka pritshmëri jorealiste dhe revolucionare për mënyrën sesi duhet të ndryshojë Shqipëria”, tha Basha.

Ai vijoi më tej duke iu referuar  kushteve të Bundestagut, që sipas kryedemokratit, një prej këtyre kushteve kërkon “ndjekjen penale ndaj personave që lidhen me vjedhjen e votave”. “Në kushtet e Bundestagut është edhe “fillimi i ndjekjes penale dhe proceseve gjyqësore kundër atyre që lidhen me blerjen e votave në zgjedhje dhe ndjekjen serioze e të shpejtë të procedimeve.” Në rezolutën e PPE-së ky kusht është forcuar edhe me “arrestimin e përsonave të kapur në përgjime duke vjedhur votat.” I njëjti kusht përsëritet edhe nga Unioni Demoktatik Ndërkombëtar, ku, përveç Partive Popullore Europiane, përfshihet edhe partia në pushtet e SHBA dhe partia në pushtet në Britaninë e Madhe. Duke parë në sy qytetarët dua t’ju them se nuk ka për të patur amnisti as për Damian Gjiknurin, as për Imer Lalën, as për Vangjush Dakon, as për Avdylajt, për askënd që është përfshirë në shitblerjen e votave”, th Basha.

Gjithashtu, Lulzim Basha tha se “dërgimi para drejtësisë i këtyre personave është prioritetet i Partisë Demokratike”. “Dërgimi i tyre para drejëtësisë dhe aty ku e kanë vendin është prioritet absolut i PD-së, i opozitës së bashkuar dhe institucioneve euroatlantike. Ju lutem ta kuptoni realitetin, ashtu siç është. Këta janë të gjithë ushtarë të Edi Ramës. Stigmatizimi i procesit të reformës zgjedhore, nuk është gjë tjetër veçsee rënie viktimë e kësaj propagande. Synimi im është të largojmë fenomenin e Edi Ramës, personin e Rdi Ramës, qeverinë e Edi Ramës, bandat e Edi Ramës dhe të krijojmë kushtet që kurrë më, asnjë parti politike, asnjë individ të vendosë shqiptarët dhe Shqipërinë në kushte pengmarrje nga krimi”, shtoi Basha. Por pavarësisht këtyre deklaratave, fakti është se Partia Demokratike pranoi të bashkëpunojë me Damian Gjiknurin si bashkëkryetar i komisionit për Reformën Zgjedhore, pavarësisht se më herët e kanë akuzuar atë për blerjen e votave në Dibër. /Realstory.al/



Skip to toolbar