Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri deklaroi të enjten se sistemi zgjedhor nuk do të ndryshojë deri në vitin 2022. Megjithatë, Gjiknuri u shpreh se në muajin janar do të diskutohet për propozimet që do të vijnë nga palët. “Draftet e paraqitura për kodin zgjedhor janë ende teknike. Besoj se deri në vitin 2022 këtë sistem zgjedhor do të kemi. Çështja e sistemit është një çështje kushtetuese. Kemi dhe ne pretendimet apo propozimet edhe pse ky sistem në mendimin tim nuk është i keq. Ja kemi lënë këtë opozitës dhe nëse biem në konsesus atëhere i përket Kushtetutës”, tha Gjiknuri pas mbledhjes që zhvilloi Komisioni i Reformës Zgjedhore.
Ai i bëri thirrje opozitës të dërgojë propozimet e saj, ndërsa tha se po mendohet që në ndryshimet e Reformës Zgjedhore të pëfshijnë hapjen e disa kutive të caktuara për t`u riparë pas procesit të numërimit. Sipas Gjiknurit kjo do të sjellë transparencë më të madhe, ndsa shtoi se kështu synohet të rritet integriteti i procesit zgjedhor.
“Kuti të caktuara do të hapen për t’u riparë, kjo do të sjellë një transparencë të madhe ligjore. Këto kuti do të hapen pas përfundimit të procesit dhe kjo synon integritetin dhe një transparencë. Opozita solli një propozim dhe këtë do e bëjmë në një seancë të veçantë. Edhe aktorë të tjerë do të jenë të ftuar dhe do të bëjnë propozimet. Procesi do të shoshitet me kohë dhe të adresojmë çështjet të cilat janë kundër rekomandimeve të OSBE. Vijojmë t’i qëndrojmë mendimit që opozita të sjellë propozimet dhe ne qëndrojmë të hapur. E presim PD dhe partitë e tjera të opozitës të vijë”, tha ai.
Lidhur me përfshirjen e teknologjisë në zgjedhje, Gjiknuri u shpreh se është një proces që mund të kërkojë kohën e tij për zbatim. Për këtë arsye, Gjiknuri tha se vendi nuk mund të qëndrojë pa bërë zgjedhje për shkak të mungesës së teknologjisë. “Teknologjia është një mënyrë për t’u adresuar dhe kërkon kohën e saj. Edhe PD në dijeninë time ka qenë e përfshirë në këtë proces dhe propozim. Po mendojmë fazat ku do të shtrihet ky proces, teknologjia mund të kërkojë më shumë kohë por ne nuk mund të qëndrojmë pa bërë zgjedhje sepse nuk ka teknologji”, shtoi ai.
Bashkëkryetarja e Komisionit, Rudina Hajdari tha se të gjitha propozimet do të punohen përpara se t`i dërgohen ODIHR për një vlerësim. “Dy kërkesa e ndryshimit të sistemi, do të shqyrtohet në janar. U prezantua drafti për infrastrukturën e administratës zgjedhore dhe mekanizma të reja që do të kërkojnë partitë politike për transparencën para gjatë dhe pas. Do gjendet mekanizmi që kush vjedh votën do të shkojë në burg. Kjo kërkesë ka ardhur nga BE. Në një takim tjetër do të kemi edhe shoqërinë civile. Të kemi drafte të gjithë pranuara para se t’ia çojmë ODIHR. I referohem historisë parlamentare të 30 viteve të fundit, ne duam që të kemi një proces zgjedhore në mënyrë transparente, të mos bëhet për dy partitë kryesore por për çdo parti që hyn në garë. Ne duhet t’i krijojmë kushtet për të gjithë dhe jo për Rudinën”, tha Hajdari.