U dënua me 1 vit burg, Meta merr në mbrojtje Salianjin

AKTUALITET


Vetëm një ditë pasi Gjykata e Tiranës e dënoi me 1 vit burg ish deputetin e PD-së, Ervin Salianji, presidenti Ilir Meta e ka thirrur në një takim në presidencë, ku ndër të tjera i ka garantuar se do ta ndjekë me vëmendje të posaçme këtë çështje.

Presidenti u njoh nga afër me pretendimet e Salianjit në lidhje me cënimin e procesit të rregullt ligjor në çështjen gjyqësore penale që po zhvillohet në ngarkim të tij.


Gjatë këtij takimi, Presidenti Meta theksoi se mbron parimin kushtetues se kushdo që akuzohet penalisht, prezumohet i pafajshëm derisa në ngarkim të tij nuk ka një vendim gjyqësor të formës së prerë.

Meta e inkurajoi Salianjin, që të mos humbasë besimin te drejtësia dhe të vijojë të ndjekë të gjitha rrugët dhe mjetet procedurale ligjore në mbrojtje të të drejtave të tij.

Presidenti Meta theksoi rëndësinë që procesi gjyqësor që ka nisur të zhvillohet në mënyrë të pavarur dhe objektive.

“Kreu i Shtetit e garantoi z.Salianji se do ta ndjekë me vëmendje të posaçme këtë çështje me sensibilitet të lartë publik, duke inkurajuar një gjykim shterues dhe transparent”, njofton presidenca.

Një ditë më herët gjykata e Tiranës e dënoi m 1 vit burg ish deputetin Salianji me akuzën e kallëzimit të rremë, vendim ky që u kundërshtua ashpër nga PD.




Skip to toolbar