Zjarri përfshin “Folenë e Shqiponjës”, rezidencën e Hitlerit në Gjermani/ Policia ndalon një të dyshuar

BOTA


Një zjarr i madh ka përfshirë “Folenë e Shqiponjës”, rezidencën malore që përdorej nga Adolf Hitleri gjatë regjimit nazist, në landin e Bavarisë, në jug të Gjermanisë. Policia ka ndaluar një person të dyshuar, ndërsa autoritetet po hetojnë nëse ai ka lidhje me ngjarjen.

Alarmi për zjarrin u dha të premten në orën 21:15, sipas kohës lokale. Kur mbërritën në vendngjarje, zjarrfikësit gjetën ndërtesën të përfshirë nga flakët.

Sipas policisë, terreni i vështirë malor po pengon ndërhyrjen e ekipeve të shpëtimit, ndërsa zjarri vazhdonte ende të digjej në orët e para të së shtunës. Rreth 200 efektivë të shërbimeve të emergjencës janë angazhuar për përballimin e situatës. Deri tani, nuk raportohet për persona të lënduar.

“Foleja e Shqiponjës” ndodhet në një zonë malore mbi qytetin e Berchtesgadenit dhe është ndërtuar në vitin 1938 nga nazistët. Adolf Hitleri e përdorte këtë vend si një nga rezidencat e tij dhe aty zhvillonte takime me komandantët ushtarakë, përfshirë diskutimet për pushtimin e Bashkimit Sovjetik në vitin 1941.

Gjatë regjimit nazist, zona u përdor edhe për filmime propagandistike, me synimin për ta paraqitur Hitlerin si një njeri të lidhur me natyrën dhe kafshët.

Ndryshe nga shumë objekte të tjera të lidhura me regjimin nazist, ndërtesa i mbijetoi shkatërrimit pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në vitin 1945. Me kalimin e viteve, ajo u kthye në një atraksion të njohur turistik dhe sot funksionon edhe si bujtinë malore.

Në faqen e saj zyrtare, “Foleja e Shqiponjës” përshkruhet si një kujtesë për pasojat çnjerëzore të diktaturës naziste. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Hitleri dhe regjimi i tij ishin përgjegjës për vdekjen e dhjetëra milionë njerëzve, përfshirë miliona hebrenj të vrarë gjatë Holokaustit.

Hetimet për zjarrin vijojnë, ndërsa autoritetet po përpiqen të zbardhin shkaqet e ngjarjes dhe rolin e mundshëm të personit të ndaluar.



Skip to toolbar