Mesazhi amerikan opozitës: vettingu e reforma zgjedhore

AKTUALITET


Drejtori për Europën Qendrore e Jugore në Departamentin e Shtetit, David Kostelancik ka nisur të mërkurën vizitën zyrtare në Tiranë me një takim me kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi ku ka theksuar se SHBA-të mbështesin fuqishëm realizimin e reformës në Drejtësi dhe procesin e vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ai gjithashtu ka kërkuar që brenda vitit qeveria dhe opozita të miratojnë ndryshimet në reformën zgjedhore, e cila është kyçe për rolin e Shqipërisë si drejtuese e presidencës së rradhës së OSBE-së, rol ky që Shqipëria e merr për herë të parë në histori.

Kostelancik “rekomandoi se është përgjegjësi e qeverisë që dora e shtrirë e për opozitën duhet të mundësojë tërheqjen e saj në realizimin e kësaj reforme. Kryerja e reformës zgjedhore brenda vitit do të mundësoje edhe një presidencë shqiptare të suksesshme të OSBE-së në vitin 2020”, njofton Kuvendi.

Nga ana tjetër drejtori Kostelancik nënvizoi mbështetjen e ShBA për reformën në drejtësi.  “Institucionet e reja të sistemit do tu shërbejnë qytetarëve sot e në të ardhmen dhe do të mundësojnë që shqiptarët të jetojnë në paqe e mirëqenie. Vettingu është mbështetur dhe do të vazhdojë të mbështetet fort nga ShBA”, theksoi Kastelancik.

Kryetari i Kuvendit, Ruçi, nënvizoi se shumica qeverisëse dhe ai personalisht janë të angazhuar për kryerjen e reformës zgjedhore dhe për këtë do të bashkëpunojë edhe me opozitën parlamentare e joparlamentare, e cila ka të drejtën e vetos në komisionin e ri të reformës.

Ruçi dhe drejtori Kostelancik ishin të një mendjeje se kryerja e reformave është thelbësore për Shqipërinë dhe se qeveria dhe opozita duhet të punojnë bashkë për shëndetin e demokracisë në Shqipëri  dhe prestigjin e vendit tonë në OSBE, NATO dhe organizatat e tjera ndërkombëtare. 

Në takim ishte e pranishme edhe e Ngarkuara me Punë e Ambasadës së ShBA-së në Tiranë, Leyla Moses-Ones. Nën drejtimin e saj ambasada Amerikane gjatë muajve të fundit është angazhuar më shumë se kurrë në mbrojtje të reformës në drejtësi duke publikuar video informuese për ecurinë e saj, që tregojnë gjithashtu mbështetjen e fuqishme që SHBA i jep kësaj reforme. Deklaratat e zyrtarit të lartë të DASH janë edhe një mesazh drejtuar presidentit Meta dhe opozitës që kanë sulmuar më herët procesin e vettingut dhe reformën në drejtësi, ndërsa opozita ka kundërshtuar të bashkëpunojë me qeverinë për të realizuar reformën zgjedhore; pavarësisht deklaratave të përsëritura të Ramës për bashkëpunim në këtë drejtim./Realstory.al



Skip to toolbar