Roland Bejko, kandidat i Partisë Demokratike në zgjedhjet e 14 majit për Bashkinë e Tiranës, hedh akuza të forta në drejtim të Sali Berishës, duke theksuar se qëllimi i këtij të fundit nuk është rrëzimi nga pushteti i Edi Ramës. I ftuar në Real Story në Report TV me gazetarin Sokol Balla, Bejko tha se qëllimi i Berishës është që të eleminojë Partinë Demokratike dhe të dalë forcë e dytë, në një kohë kur e ka të pamundur për të rimarrë partinë.
“S’e kemi brenda vetes garës, se tashmë PD është e ndarë, Berisha po kërkon një identitet të ri politik, në emër, por edhe filozofi, as vulën, as partinë dhe as grupin e PD, nuk e merr dot sepse është i ndaluar, është i refuzuar, duket si një fantazmë që vjen nga e shkuara në një gjeneratë tjetër, përveç dëmit që i bëri PD, Berisha nuk mundet ta rifitojë kohën që të fitojë marrjen e PD dhe të marrë pushtetin pastaj. Berisha e di mirë që nuk e merr kurë pushtetin në kushtet ku ndodhet dhe e dinë që nuk bëhet më alternativ qeverisëse, Berisha luan për të qenë i dyti dhe kërkon të na eleminojë ne”, tha Bejko.