141 ditë në avion, Meta harxhon mbi 1 mijë euro dita

AKTUALITET


Presidenti Ilir Meta ka qëndruar 141 ditë në udhëtime jashtë shtetit ndërsa shuma që ai ka harxhuar me bileta avioni, dieta dhe qëndrime nëpër hotele i kalon 91 mijë euro.

Shifrat janë bërë publike nga vetë institucioni i presidencës duke iu përgjigjur në këtë mënyrë interesimit të mediave. Por shifrat janë dhënë vetëm për lëvizjet e presidentit dhe jo për stafin e tij. Si rregull presidenti në asnjë vizitë nuk udhëton vetëm, por ka një staf të gjerë, këshilltarësh, shoferësh, ndihmësish, e bodyguardësh që e shoqërojnë ndaj dhe shifra e dhënë nga presidenca është gjysmake dhe mendohet se harxhimet e Metës janë disa fish më të mëdha.


Presidenca njofton se Meta që nga marrja e detyrës në 24 korrik 2017, deri në gusht të vitit 2019 ka realizuar:  59 vizita shtetërore, zyrtare dhe pune jashtë vendit, nga të cilat 36 prej tyre me avion.

“Nga 36 udhëtimet me avion, Presidenti Meta nuk ka udhëtuar asnjëherë me First Class apo Charter.

Presidenti ka udhëtuar kryesisht me Business Class (26 udhëtime), por edhe me Economic Class (10 udhëtime), vlera e të cilave në vite është si më poshtë:

Për vitin 2017: 7156 euro (bileta avioni)

Për vitin 2018: 24384 euro (bileta avioni)

Për vitin 2019: 24217 euro (bileta avioni)

Udhëtimi kryesisht në Business Class është zgjedhur si mundësi për udhëtim të sigurtë, që garanton fleksibilitetin e ndryshimeve të itinerareve të udhëtimit për shkak të axhendës, pa paguar kosto shtesë, si dhe ka garanci të plotë në transferimin e bagazheve.

Gjatë viteve 2017, 2018 dhe 2019, Presidenti i Republikës ka qëndruar në total 141 ditë jashtë vendit.

Vlera totale e trajtimit financiar me dietë të përfituara për 141 ditët e qëndrimit jashtë vendit ka qenë në vlerat: 12600 euro dhe 4260 USD.

Nga 59 vizita shtetërore, zyrtare dhe pune që Presidenti i Republikës ka realizuar jashtë vendit, vlera totale e shpenzuar për akomodimin në hotel jashtë vendit nga buxheti i Institucionit të Presidentit është në vlerën 19322 euro”, njofton presidenca.




Skip to toolbar