2 mijë gjoba në 48 orë, policia, me “dorë të hekurt” ndaj shoferëve

AKTUALITET


Në vetëm dy ditë, policia rrugore vendosi 2 mijë gjoba për shkelje të qarkullimit rrugor, nga masat e lehta deri tek ato më të rënda. Këto gjoba u vendosën në rrugët e Tiranës, ku shumica për drejtim të mjetit në gjendje të dehur apo edhe drejtim mjeti pa patentë.

23 shtetas janë kapur në kushtet e flagrancës, nga të cilët 7 në gjendje të dehur, 15 të pa pajisur me leje drejtimi dhe 1 për falsifikim të dokumenteve zyrtare. Gjithashtu, janë pezulluar 47 leje drejtimi, nga të cilat: 16 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, 22 për shpejtësi mbi normat e lejuara të shpejtësisë, 2 për mos bindje ndaj shenjës së ndalimit, 5 për largim nga vendi i aksidentit dhe 2 për shkelje të tjera.


Janë proceduar me masë administrative 287 drejtues mjetesh për mos përdorim të rripit të sigurisë dhe sistemeve të fiksimit, 123 drejtues motomjetesh për mos përdorim të kaskës mbrojtëse, 122 drejtues mjetesh për përdorim të aparatit celular gjatë drejtimit të mjeteve.

Gjoba u janë vendosur edhe 42 drejtuesve për mosdhënie përparësie ndaj këmbësorëve, 57 drejtues mjetesh të pasiguruar dhe certifikuar teknikisht, 562 mjete dhe drejtues mjetesh, për ndalim pushimi dhe qëndrimi ku nuk lejohej.

Janë verifikuar 46 ankesa të adresuara nga qytetarët nëpërmjet Komisariatit Dixhital dhe forma të tjera, në funksion të të cilave janë vendosur 67 masa administrative, kryesisht për parkime të gabuara si dhe u vendosën 789 masa administrative për shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor.




Skip to toolbar