3 kandidatë për kryeprokurorin, intervistat më 13 nëntor

AKTUALITET


Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka zyrtarizuar 3 kandidatët për postin e Prokurorit të Përgjithshëm dhe ata janë Arta Marku, Fatjona Memçaj dhe Olsian Çela.

Mbledhja është mbajtur në praninë e 9 anëtarëve dhe në mungesë të anëtarëve Besnik Cani dhe Nurihan Seiti.


Kandidatët e zyrtarizuar nga KLP do të vazhdojnë garën e mëtejshme për pozicionin e Prokurorit të Përgjithshëm, ndërsa intervistat do të nisin në datën 13 nëntor.

“Në datën 13 nëntor 2019 duke filluar nga ora 9,30 do të zhvillohen intervistat me të tre kandidatët në garë sipas rendit alfabetik. Në zbatim të nenit 19, pika 1 te rregullores “Për kriteret dhe procedurën e përzgjedhjes së kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm”, intervistat me kandidatët do të regjistrohen me audio dhe video. Kandidatët do të njoftohen nominalisht dhe në adresën e postës elektronike që ata kanë deklaruar në momentin e aplikimit”, njofton KLP.

Në garë për postin e kryeprokurorit ishte dhe Lulzim Alushaj por ai u skualifikua nga KLP me argumentin se nuk plotësonte kriterin e 15 viteve eksperiencë pune si jurist. Alushaj e ankimoi vendimin e KLP-së në Gjykatën Administrative.

Gjykata Administrative e Apelit rrëzoi kërkesë-padinë e kandidatit për kryeprokuror Lulzim Alushaj, i cili kërkonte rikthimin në garë për drejtimin e Prokurorisë së Përgjithshme.

Administrative e Apelit vlerësoi të drejtë vendimin e KLP-së, duke rrëzuar Lulzim Alushajn. Në këtë mënyrë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhbllokoi garën duke lënë vetëm 3 kandidatë për postin e Prokurorit të Përgjithshëm.




Skip to toolbar