30 qershori, Meta kërcënon me destabilitet

AKTUALITET


Presidenti Ilir Meta theksoi të premten për mediat se dekreti i tij për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit është në fuqi dhe ata që nuk e respektojnë atë do të vuajnë pasojat që do të provokojnë destabilitet në vend. “Ata që ecin në rrugën e paligjshmërisë do të kenë të gjithë pasojat që do të provokojnë paqen sociale dhe stabilitetin në vend”, tha Meta.

I pyetur për 100 votat kundër tij në parlament, Meta tha se ai është zgjedhur nga një parlament i ligjshëm dhe jo nga ky parlament, duke nënkuptuar se ky parlament është i paligjshëm.

“Presidenti është zgjedhur nga parlamenti, natyrisht jo nga ky. Nga një parlament plotësisht legjitim. Por presidenti i takon Republikës. Dhe republika është e qytetarëve”, tha Meta, i cili shtoi se është duke punuar me qetësi për vendosjen e datës së re të zgjedhjeve dhe së shpejti do të thërrasë në takim Ramën dhe Bashën.

“Sa më parë të jetë e mundur. Po punojmë me shumë qetësi. Dekreti është në fuqi. Është i detyrueshëm për të gjithë. Presidenti mban shënim çdo institucion që shkel ligjin”, tha Meta.

I pyetur nëse do pranojë një vendim të Kolegjit Zgjedhor për dekretin e tij Meta tha me ironi se ata mund të çmenden dhe të ankohen edhe në Gjykatën e Skraparit që nuk ekziston.

“Dekreti mund të gjykohet edhe nga gjykata e Skraparit që nuk ekziston. Presidenti nuk lejon askënd që të çmendet. Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme sepse vetëm ato sigurojnë çeljen negociatave që është objektiv i të gjithë shqiptarëve. Kush dëshiron të eci në rrugën e paligjshmërisë le të vazhdojë është e drejta e tij. Presidenti ka të drejtë të bëjë thirrje për reflektim. Ata që ecin në rrugën e paligjshmërisë do të kenë të gjithë pasojat që do të provokojnë paqen sociale dhe stabilitetin në vend”, tha Meta.



Skip to toolbar