Venecia i jep goditjen e parë Metës. Rrëzon dekretin për 13 tetorin

AKTUALITET


Debati nëse do të ketë apo jo zgjedhje në 13 tetor, ka marrë vulën e Komisionit të Venecias. Në një intervistë për A2 CNN, Sekretari i Komisionit për Demokraci Përmes Ligjit, Thomas Markert, është shprehur se në praktikë nuk do të ketë zgjedhje më 13 tetor. “Është një koincidencë datash. Por unë mendoj se në praktikë nuk do të ketë zgjedhje më 13 tetor. De fakto, nuk mendoj se janë duke u bërë përgatitje për mbajtjen e zgjedhjeve, me aq sa unë jam në dijeni”, ka thënë ai ndër të tjera.

I pyetur nëse Ilir Meta ka shkelur ligjin me anulimin e datës 30 qershor për zgjedhjet vendore, Markert është shprehur se nuk mund të komentojë për momentin opinionin që do të japë Komisioni i Venecias për këtë çështje. “Nuk do të komentoj tani opinionin që do të publikohet muajin e ardhshëm”, ka thënë Market, ndërkohë ai ka komentuar edhe takimet që ai dhe anëtarët e tjerë të Komisionit të Venecias zhvilluan për dy ditë në Tiranë.


Thomas Market është shprehur se ‘opozita parlamentare nuk ka qëndrime të qarta’, ndërsa ajo jashtëparlamentare i ka të qarta. “Opozita parlamentare nuk ka një qëndrim të unifikuar, por qëndrime të ndryshme. Ndërsa opozita jashtëparlamentare, i ka të qarta qëndrimet e saj”, ka thënë Market, ndërsa ka komentuar dhe takimin me Kryeministrin Edi Rama. “Ju e dini që kryeministri Rama ka qenë shumë kritik për atë që bëri Presidenti i Republikës. Ne diskutuam dhe për rolin e presidentit. Çfarë ai duhet të bëjë, ka të drejtë të bëjë e çfarë jo, si dhe për pasojat e këtyre veprimeve”, ka thënë Thomas Markert.




Skip to toolbar