Kuvendi në punë për shkarkimin e Metës. Si ndikoi dekreti për anulimin e zgjedhjeve

AKTUALITET


Nuk ka pushime për Komisionin Hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. Anëtarët e këtij komisioni kanë nisur të mbledhin prova mbi pasojat që ka shkaktuar dekreti i Metës për anulimi e zgjedhjeve të 30 qershorit.

Kështu Kuvendi i ka drejtuar një kërkesë për informacion Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Përgjithshme, ku 2 titullarëve të këtyre institucioneve iu është kërkuar informacion në lidhje me trendin e krimeve zgjedhore, para dhe pasi Presidenti të anulonte me dekret zgjedhjet e 30 qershorit, shkruan gazeta Sot referuar burimeve nga ky komision.


“Numri i kallëzimeve të referuara në organin e Prokurorisë për shkelje penale të procesit zgjedhor gjatë periudhës kohore 1 janar 2019- 10 qershor 2019 në shkallë vendi; Numri i kallëzimeve të referuara në organin e prokurorisë për shkelje penale të procesit zgjedhor gjatë periudhës kohore 10 qershor 2019 e në vijim, në shkallë vendi”, janë disa nga pyetjet që Komisioni Hetimor iu ka dërguar në kërkesë Prokurorisë dhe Policisë. Por këto institucione i kanë dërguar përgjigje Kuvendit në lidhje me kërkesën me informacione që mazhoranca kërkon t’i përdorë për shkarkimin e Ilir Metës nga detyra.

Kështu sipas të dhënave të Policisë së Shtetit, para se Presidenti të dekretonte anulimin e zgjedhjeve, kishte pasur vetëm 2 kallëzime për krime elektorale, ndërsa pas 10 qershorit, u proceduan 192 persona. “Në total, për periudhën 01 janar 2019 -10 qershor 2019 janë gjithsej 2 kallëzime që lidhen me procesin zgjedhor, të referuara në Prokurori, zbuluar 1, ose 50% e tyre.

Në këto vepra penale është proceduar 1 autor, i cili ndiqet në gjendje të lirë. Në total për periudhën 10 qershor 2019 e në vazhdim, janë gjithsej 32 kallëzime që lidhen me procesin zgjedhor, të referuara në Prokurori, zbuluar 27, ose 84,37% e tyre. Në këto vepra penale janë proceduar 192 autorë, nga të cilët 71 persona të arrestuar, 18 të ndaluar, 60 ndiqen në gjende të lirë dhe 43 janë larguar dhe shpallur në kërkim policor”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Shtetit për Komisionin Hetimor.

Përveç institucioneve që janë vënë në lëvizje, duke i kthyer përgjigje Komisionit Hetimor të ngritur nga Kuvendi për shkarkimin e Metës, edhe Komisioni i Venecias është vënë në lëvizje për këtë gjë. Në 9 shtator, ekspertët e Venecias do të zbarkojnë në Tiranë, ku pritet të takojnë palët para se të japin një opinion mbi ligjshmërinë e veprimeve të Presidentit Ilir Meta. Pra maxhoranca nuk po pushon por po punon që në shtator shkarkimi i Metës të jetë fakt i kryer.




Skip to toolbar