Kërkesa e Arbër Çekaj për gjykim të shkurtuar është pranuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda. I akuzuari për trafikun e 613 kg kokainë, e cila u kap në Durrës në shkurt të vitit 2018, e fshehur në disa kontenier me banane, do të përfitojë ulje të 1/3 së dënimit, në rast se gjykata e shpall fajtor. Arbër Çekaj, pronari i kompanisë “Arbi Garden”, dyshohet se ishte personi që do të priste kokainën në Shqipëri. Ndërkohë, Gjykata e Krimeve të Rënda pranoi kërkesën për gjykim të shkurtuar edhe për dy persona të tjerë të akuzuar për këtë çështje.
Shoferi i kamionit, të kompanisë “Arbi Garden”, shtetasi Armando Pezaku dhe menaxheri i kompanisë “Donald Lushaj”, do të gjykohen si ish-shefi i tyre, Arbën Çekaj, pasi të tre akuzohen për të njëjtën vepër penale. Armando Pezaku kërkoi lirinë, pasi është shprehur se nuk kishte dijeni për ngarkesën që po transportonte.
“Jam vetëm një shofer. Nuk kam pasur dijeni. Me 340 mijë lekë mbaj familjen sepse jam në gjendje të vështirë ekonomike”, është shprehur Pezaku. Nëse gjykata do t`i dënojë tre të akuzuarit për kokainën e kapur në Durrës, ata do të përfitojnë ulje me 1/3 e dënimit. Ndërkohë, Arbër Çekaj, vetëm pak ditë më parë u ekstradua nga Gjermania në Shqipëri. Prokuroria e Krimeve të Rënda do të lexojë konkluzionet e hetmit për Arbër Çekajn në datën 15 tetor.