8 vjet burg e nuk zë mend, kapet me armë

AKTUALITET


Një i ri, i cili është dënuar më herët për grabitje me armë, është arrestuar sërish nga policia pak kohë, pasi ka dalë nga burgu. Bëhet fjalë për 32-vjeçarin Xhekson (Petrit) Pusi, i cili ka rënë në prangat e policisë së Shkodrës, pasi është kapur duke qarkulluar me armë zjarri tip pistoletë me vete.

Policia është sinjalizuar nga qytetarët lidhur me këtë rast dhe pas aksionit është bërë e mundur arrestimi në flagrancë i 32-vjeçarit të dënuar me 8 vite burg për vjedhje me armë dhe armëmbajtje. Ai është ndaluar në lagjen Vasil Shanto. Pavarësisht se ka hedhur armën në rrugë dhe ka tentuar të largohet, ai është bllokuar nga forcat e policisë. Policia njofton se materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.


Sipas policisë, Pusi ka qenë i dënuar edhe më herët. Në vitin 2013, ai është arrestuar për grabitjen me armë e maskë të zyrës elektorale të LSI në Shkodër. Në mes të sendeve personale të grabitura të dy personave që gjendeshin brenda zyrës, ishte edhe një orë “Rolex”, që kushtonte 30 mijë euro me 52 gurë diamanti në të.

Por, ky nuk është dënimi i vetëm për të, ai ka qenë i dënuar edhe në vitin 2010, për armëmbajtje pa leje dhe moskallëzim krimi gjatë një tentative vrasje po në Shkodër. Pra edhe pas dy dënimeve të tjera, ai duket se nuk ka zënë mend nga rehabilitimi në institucionet e sigurisë, ku pritet të rikthehet për “armëmbajtje pa leje.




Skip to toolbar