“21 Janari”, Ngjela: Vrasjet janë të dokumentuara, SPAK do të rihapë dosjen

AKTUALITET


21 janari i sotëm shënon plot nëntë vite nga 21 Janari i vitit 2011, kur Garda e Republikës, asokohe nën komandën e ish-komandantit Ndrea Prendi, në qeverisjen e Berishës, hapi zjarr ndaj protestuesve të thirrur nga Partia Socialiste para Kryeministrisë, duke vrarë katër protestues të pafajshëm dhe plagosur gjashtë të tjerë.

Një ngjarje, e cila ende ka ngelur e pazbardhur, pavarësisht gjithë kalvarit të gjatë që kanë ndjekur familjarët e viktimave Ziver Veizi, Aleks Nika, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj. Por në lidhje me këtë masakër reagoi avokati Spartak Ngjela, i cili u shpreh se vrasja e 4 personave në bulevardin Dëshmorët e Kombit është e dokumentuar dhe tashmë SPAK dhe BKH pritet që ta rihapë.


Gjatë një reagimi për gazetën “SOT” Ngjela u shpreh se partnerët ndërkombëtarë kanë sjellë në SPAK prova të plota për hetimin e ngjarjes, duke shtuar se serveri që u prish qëllimisht për të fshehur të vërtetën tashmë është risistemuar. Sipas avokatit, organet e reja të drejtësisë do të hetojnë një sërë ngjarjesh, ku përveç “21 Janarit” nga SPAK dhe BKH do të hetohet edhe çështja “Gërdeci”.

“Ngjarja e 21 janarit ende nuk është zbardhur kur pushteti gjyqësor ishte i korrupsionit, pra ishte i atyre që bënë 21 Janarin. Ligji i kërkon SPAK që të rihapë edhe një herë dosjen për 21 Janarin. Ndërkombëtarët dhe sidomos politika amerikane kanë sjellë provat e plota të serverit që kishte prishur stapi i Saliut. Gjithçka tani është e dokumentuar se serveri që kishin fshirë është risistemuar dhe është sjellë nga amerikanët. Këto materiale do t’i drejtohen SPAK dhe kjo është e lidhur më një seri ngjarjesh korruptive në Shqipëri, është Gërdeci, 21 Janari, që janë ngjarje pastaj ka edhe grabitje të tokave, truaj apo manipulime të korrupsionit nga mafia e ndërtimit. Ka një komplomerat të korrupsionit në nivel të lartë, i cili do hetim shumë të specializuar. Hetimet e specializuara do presin hetuesit e Byrosë së Hetimit, por çështjet duhet të fillojnë që tani nga Prokuroria e Posaçme”, u shpreh avokat Spartak Ngjela në reagimin e tij për gazetën “SOT”.

Organet e reja që do të luftojnë krimin dhe korrupsionin në nivelet e larta, janë shpresa e fundit e familjarëve për të hetuar në mënyrë shteruese dhe të paanshme ngjarjet e “21 Janarit”, duke vënë protagonistët para përgjegjësisë. Disa nga gjyqtarët dhe prokurorët e dosjes së “21 Janarit” janë shkarkuar nga procesi i vetingut.

Bllokimi i dosjes “21 Janari”

Por masakra e “21 Janarit” u bllokua kohë më parë nga Gjykata e Lartë, ku në vendimin e saj kjo gjykatë nuk dha asnjë shpjegim të hollësishëm në lidhje me arsyet e mospranimit të rekursit të bërë nga ana e prokurorisë, por është mjaftuar vetëm me citimin e vendimeve të mëparshme të dhëna nga Gjykata e Shkallës së Parë dhe Apeli, në lidhje me këtë dosje. Në ngjarjen e rëndë, gjatë protestës së opozitës më 21 janar 2011, u vranë katër persona që ishin në mesin e turmës së demonstruesve. Ekspertizat balistike të kryera në SHBA, konfirmuan se vrasja e tyre kishte ardhur nga përdorimi i armëve të zjarrit nga ana e Gardës së Republikës. Të dy të pandehurit, ish-komandanti i Gardës së Republikës Ndrea Prendi dhe komandanti i Forcave Speciale të Gardës, Agim Llupo, kanë fituar lirinë, ku vetëm Llupo u dënua me afatet e paraburgimit, për akuzën e vrasjes nga pakujdesia. Prokuroria kishte kërkuar dënimin e tyre për vrasje me dashje, por të dyja shkallët e gjyqësorit e rrëzuan pretendimin e akuzës. Tashmë edhe Gjykata e Lartë është bërë “njësh” me ta, duke e konsideruar vendimin të drejtë dhe nuk pranoi rekursin e prokurorisë, duke argumentuar se çështja nuk mund të rihapet, pasi është bërë një proces i rregullt gjyqësor./Gazeta Sot




Skip to toolbar