Policia e Elbasanit, ka prangosur ekonomistin e qendrës shëndetësore nr 3 në qytet, Edlir Sejdini.
Sipas policisë, dyshohet se ai ka shpërdoruar detyrën përmes falsifikimit të listë-prezencës së punonjësve, duke përvetësuar një vlerë prej 30 milionë lekësh pranë qendrës shëndetësore.
“Arrestimi i tij u bë pas hetimeve disa mujore të seksionit të krimit ekonomik pranë Drejtorisë së Policisë Elbasan në bashkëpunim të ngushtë me prokurorinë e rrethit gjyqësor Elbasan”, – njofton policia.
Sipas burimeve, 35-vjeçari kishte rreth dy vite që përvetësonte shuma me listë prezencat e punonjësve duke i falsifikuar.
Ndaj tij rëndon akuza e vjedhjes, duke shpërdoruar detyrën. Ndërkohë, vazhdon hetimi për identifikimin e bashkëpunëtoreve të tjerë.