Rama viziton familjet e prekura nga tërmeti: Në vjeshtë do futeni në banesat e reja

AKTUALITET


Kryeministri Edi Rama ka qenë ditën e sotme në fshatrat e prekura nga tërmeti i pak ditëve më parë në Korçë. Kreu i Qeverisë ka vizituar fshatin Floq dhe Qafëzezë, ku ka parë nga afër gjendjen e banorëve, të cilëve u janë dëmtuar banesat nga lëkundjet e tokës.

“Kjo është një e keqe që do sjellë të mirën e vet, se ne do t’i rindërtojmë të gjitha shtëpitë dhe sigurisht që do jenë edhe më mirë se sa ishin dhe do t’ju kompensojmë me dëmet çfarë ka brenda, që mund të jetë dëmtuar”, – tha kryeministri Rama në bisedën që pati me banorët e prekur nga kjo fatkeqësi, duke siguruar se para vjeshtës banorët do jenë në shtëpitë e tyre.

Floqi është fshati më i prekur, ku 75 shtëpi janë të pabanueshme dhe rreth 100 të tjera kanë dëme më të lehta. Për familjet e mbetura pa strehë, përveç çadrave të ngritura nga strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes, ofrohet edhe shërbimi i kujdesit shëndetësor 24 orë dhe trajtimi ushqimor.

Sistemimi i qytetarëve nëpër shkolla dhe ambiente më të përshtatshme banimi ka filluar. “Kemi bërë atë bilancin e parë të të gjithë dëmeve dhe ndërkohë kemi bërë gati dhe planin e ndërhyrjes, kështu që besoj që shumë shpejt do fillojmë të bëjmë ndërhyrjet në mënyrë që brenda periudhës së verës të kemi zgjidhur të gjithë problematikën dhe patjetër me fillimin e vjeshtës ju të jeni nëpër shtëpi e të mos rrini më jashtë”, – u tha kryeministri Rama banorëve të prekur. 



Skip to toolbar