May dhe Macron nuk ftojnë Putin në ceremonitë për D-Day, reagon presidenti rus

AKTUALITET


Presidenti rus, Vladimir Putin është lënë jashtë ceremonive përkujtimore të zhvilluara në Britani dhe në Francë me rastin e D-Day, por vetë Putin është shprehur: “s’ka problem se s’kishte ftesë, pasi kishte shumë punë të tjera për të bërë”.

Presidenti rus ishte i ftuar në ceremonitë që u zhvilluan me rastin e 70 vjetorin, në vitin 2014, por u la jashtë këtyre ceremonive të zhvilluara me rastin e 75 vjetorit të zbarkimeve të aleatëve në Normandi gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Duke folur në një forum ekonomik në Shën Petersburg, ai tha se mungesa e një ftese nuk përbënte një çështje.

“Ne gjithashtu nuk ftojmë të gjithë në çdo ngjarje. Përse duhet të ftohem kudo, unë kam punë  të mjaftueshme këtu”, tha ai.

Vërejtjet e tij erdhën një ditë pasi Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë këmbënguli se rëndësia e D-Day në rezultatin e luftës nuk duhet të tejkalohet.

Shtete perëndimore ndajnë qëndrime të ndryshme me Rusinë përsa i përket rëndësisë së D-Day. Ndërsa Britania dhe Franca e cilësojnë të përcaktues për fitoren e Luftës zbarkimin e aleatëve në Normandi, ndryshe mendon Rusia.

Rusët mendojnë se lufta e ushtarëve sovietikë kundër nazistëve dhe qëndresa e tyre e gjatë është më determinuese në fitoren e Luftës.

Moska kishte luftuar forcat gjermane në lindje për pothuajse tre vjet deri në kohën e operacioneve të D-Day që përfundimisht çuan në çlirimin e Evropës Perëndimore nga Gjermania naziste.

Bashkimi Sovjetik humbi më shumë se 25 milionë jetë në atë që quhej Lufta e Madhe Patriotike – më shumë se çdo komb tjetër. Rusia zhvillon një paradë masive ushtarake çdo vit për të përkujtuar përvjetorin e fundit të Luftës së Dytë Botërore dhe për të kujtuar rolin e trupave sovjetike.



Skip to toolbar