Në një reagim direkt përmes rrjeteve sociale, kryeministri Rama ka folur sërish për pagat e gjyqësorit ku thotë se atmosfera e krijuar është tepër shqetësuese. Ai thotë se pavarësia e gjyqësorit ka rrëshqitur në papërgjegjshmëri. Burimi është “kuturisja” për të marrë një vendim arbitrar për pagat e gjyqësorit duke kërkuar që Thesari i Shtetit të hapë derën, tha Rama.
“Dy shëmbëlltyrat e anës së errët të medaljes së reformës në drejtësi, dy trupa të mbingarkuara me njerëz, paga, shpenzime, por me një produktivitet që lë shumë për të dëshiruar në aspektin e misionit që kanë si trupa qeverisëse të sistemit të drejtësisë që është i pavarur, jo më në letër, por në realitetin faktik të Shqipërisë ku pavarësia aq sa ka sjellë të mira, aq edhe ka sjellë sfidën e madhe të rrëshqitjes në papërgjegjshmëri, por nuk dua të hyj në këtë temë. Është temë komplekse, është e duhura, koha në dispozicion për të transformuar rrënjësisht dhe ngritur një sistem drejtësie, ka qenë e shkurtër sepse këto janë ndryshime epokale dhe ky ndryshim epokal ka nisur.
Dua të them vetëm sesa shqetësuese, sa e shëmtuar, sa vulgare është atmosfera e krijuar nga një konflikt pushtetesh dhe nga një barrikadim i atij pushteti të pavarur, kushtetues që duhet të garantojë barazinë para ligjit për të gjithë e mbi të gjitha mbi vetveten, e mbi të gjitha përtej gërmës së ligjit të garantojë një shembull. Kur vjen puna që del nga salla e gjyqit dhe është i organizuar në shoqata për t’i dhënë zë shqetësimeve të trupës në publik. Këtu flasim për një tjetër dimension dhe është i rëndësishëm për shembullin që jepet. Janë një palë që kanë këtë interes.


