Tensionet në Zveçan, Kurti: Krimi dhe grupet kriminale nuk do të tolerohen, mos bini pre e mediave në Serbi

KOSOVA


Kryeministri i Kosovës , Albin Kurti ka reaguar për aksionin kundër krimit zhvilluar në Prishtinë, Pejë dhe në veri e jug të Mitrovicës, ku mbetën të lënduar gjashtë persona.

Kurti shprehet aksioni është zhvilluar në kuadër të luftës së kontrabandës, ndërsa sqaron se hetimet janë kryer me urdhër të lëshuar nga prokuroritë.

Ai thotë se  tashmë aksioni ka përfunduar dhe i bën thirrje qytetarëve në komunën veriore të Mitrovicës që të mos bien pre e disa medieve në Serbi që e mbrojnë krimin, korrupsionin dhe kontrabandën dhe duan ta politizojnë dhe etnizojnë atë.

Reagimi i plotë:

Aksion i Policisë kundër krimit e kontrabandës në Prishtinë, Pejë dhe në veri e jug të Mitrovicës

Herët në mëngjesin e sotëm, Policia e Kosovës, me qëllim të luftimit të kontrabandës ka filluar operacione bastisjeje në disa lokacione të ndryshme në Prishtinë, Pejë e Mitrovicë (si në jug ashtu edhe në veri).

Këto veprime policore janë paraprirë nga hetimet intensive dhe janë me urdhër e të bashkërenduara me prokuroritë dhe gjykatat kompetente. Janë sekuestruar mallra e dëshmi të tjera që paraqesin edhe prova materiale.

Krimi dhe grupet kriminale nuk do të tolerohen dhe do të luftohen. Kontrabandën do ta luftojmë e do ta parandalojmë.

Aksioni i sotëm policor ka përfunduar. U bëj thirrje qytetarëve në komunën veriore të Mitrovicës që të mos bien pre e disa medieve në Serbi që e mbrojnë krimin, korrupsionin dhe kontrabandën dhe duan ta politizojnë dhe etnizojnë atë.



Skip to toolbar