Bërnabiç kërkon reagimin e ndërkombëtareve: Ndalni Albin Kurtin!

KOSOVA



Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq ka ftuar bashkësinë ndërkombëtare që të reagojë teksa Policia dhe Dogana e Kosovës njoftuan se po zhvillojnë aksion kundër kontrabandës në disa lokacione, përfshirë edhe komunat në veri të vendit.

“I bëj thirrje bashkësisë ndërkombëtare, NATO-s dhe KFOR -it, që të reagojnë urgjentisht dhe të ndalin (v.j. kryeministrin e Kosovës) Albin Kurtin. Situata është më se dramatike dhe ky është momenti i fundit në të cilin është i nevojshëm një reagim i qartë për të ndaluar politikën e çmendur të ndjekur nga Prishtina. Kjo lloj sjelljeje ka tejkaluar çdo masë dhe na çon në prag të kaosit”, tha Bërnabiq përmes një komunikate për media.


Përfundon aksioni kundër kontrabandës në veri

Më 13 tetor, Policia e Kosovës tha se në orët e mëngjesit nisi një aksion kundër kontrabandës së mallrave. Ky aksion u kundërshtua nga qytetarët në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan – komuna të banuara me shumicë serbe –të cilët hodhën në drejtim të Policisë gjësende të forta.

Policia u përgjigj me gaz lotsjellës dhe bomba zhurmuese. Sipas autoriteteve shëndetësore në Mitrovicë të Veriut, deri më tani dy policë dhe gjashtë qytetarë kanë kërkuar ndihmë mjekësore.