Gjatë fjalës së mbajtur në seancën plenare në Kuvend, deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji, bëri me dije qëndrimin e grupit parlamentar demokrat në lidhje me ligjin për pastrimin e parave.
Salianji u shpreh se Partia Demokratike do ta votojë këtë ligj, jo sepse mendon se qeveria ka vullnet për ta zbatuar, por sepse në këtë mënyrë i heq mundësinë për të bërë propagandë duke akuzuar opozitën se ka merakun personal në këtë aktivitet kriminal.
Salianji theksoi se i vetmi merak i opozitës është të shkojë përpara drejtësisë çdo person i përfshirë në aktivitetin e pastrimit të parave.
“Ka një diferencë mes përfaqësuesit e qeverisë flasin dhe asaj që keni sjellë po ju si qeveri. Nga njëra anë thoni se nuk ekzistojnë problematikat që ngre opozita në lidhje me pastrimin e parave dhe kthimin e Shqipërisë dhe kryesisht Tiranës në një lavatriçe për pastrimin e parave, dhe nga ana tjetër keni sjellë një ligj që ashpërson masat dhe vendos nën monitorim më shumë persona.
Jo persona dosido, por persona si ata që ne denoncojmë çdo ditë në opozitë. Ka një problematik të madhe me personat e ekspozuar politikisht, të cilët janë të përfshirë në pastrimin e parave dhe ju të detyruar keni sjellë një ligj. Për arsye që vjen si rekomandim të përfshirjes në listën gri ne do ta votojmë pro, pavarësisht qëndrimit të gjithsecilit brenda grupit parlamentar.
Do ta votojmë pro, jo se besojmë se ju keni vullnet politik për ta zbatuar, jo se besojmë se ky ligj ka munguar për të luftuar pastrimin e parave në këtë vend, por do ta votojmë për t’ju hequr një instrument propagande që ju do ta përdorni që këta kanë ndonjë merak. I vetmi merak që kemi ne është çuarja përpara ligjit e çdo personi të përfshirë në këtë veprimtari”, tha Salianji.