Rruga e Arbrit përfundon në vitin 2021

EKONOMI


​Kryeministri Edi Rama, së bashku me ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, inspektuan ditën e sotme kantieret e Rrugës së Arbrit, ku po ecet me ritme mjaft të kënaqshme, për të kapur afatin e premtuar, pranverën e vitit 2021. Ata ndaluan në dalje të tunelit T5, i cili ka një gjatësi prej 500 metër dhe është përfunduar plotësisht, përveç shtresës së asfaltit. Me të njëjtat ritme është punuar edhe në Urën e Vashës, ku kanë mbaruar themelet dhe është montuar gjysma e strukturës metalike.

“Ura e vashës përfundon gjatë periudhës së verës. E konsiderojmë si një ndër urat më të larta në rajon, 150 metra nga niveli ku është nisur,” u shpreh ministrja Balluku.

Kjo urë përbëhet nga themele betoni dhe strukturë metalike tip kapriate, hark. Edhe në krahun tjetër të urës, në hyrjen e tunelit T6, që ka një gjatësi 335 metër, është ecur paralelisht dhe tashmë është hapur plotësisht, si dhe po avancohet me fazat e tjera të punimeve. Në Rrugën e Arbrit deri më tani janë realizuar afro 40% e punimeve.

Kryeministri Rama u shpreh se e gjithë kjo vepër do të mbyllet brenda pranverës së vitit 2021. “Kontrata e ka në nëntor, ne e kemi lënë në pranverën e 2021-it,” tha Kryeministri. Nga ana tjetër ai nënvizoi pjesën panoramike të të gjithë kësaj rruge, e cila do të jetë mjaft atraktive edhe për turistë e vizitorë të shumtë, që mund të shfrytëzojnë bukuritë e zonës.

Rama, batuta me PD: Ka mbetur si ajo ura që nuk është lidhur akoma

Kryeministri Rama, teksa ka inspektuar punimet në Rrugën e Arbrit, nuk i kurseu as batutat me përgjegjësin për punimet në këtë rrugë, të cili i tha të heqë dorë nga PD, pasi ajo ka mbetur në ajër si ajo ura që nuk është lidhur akoma. “Po lëre PD se të ka ngelur mendja tek PD-ja, nuk hoqe dorë. PD-ja është bërë si ajo ura jote që nuk është lidh akoma, ka ngelur në ajër”, tha Rama. Puna për rrugën e Arbrit tashmë ka hyrë në një faze më të avancuar të grafikut të punimeve, duke u përqendruar në ndërtimin e trupit të rrugës dhe të shtresave rrugore, përfshirë dhe ata të gjelbërimit, në ndërtimin e llojeve të ndryshme të veprave të artit, në punimet për hapjen, betonimin dhe ato elektro-mekanikë të tuneleve, në ndërtimin dhe montimin e urave të mëdha, në drenazhimin e trupit të rrugës, etj.



Skip to toolbar