Kreu i BDI Ali Ahmeti komentoi në ‘Syri” nismën e “Ballkanit të Hapur”. Ahmeti deklaroi se Kosova duhet të guxojë të ulet në tavolinën e “Ballkanit të Hapur”.
Sipas tij, klasa politike e Kosovës është e paguximshme pasi ndikohet nga bisedat e kafeneve. Më tej Ahmeti me gjuhë të ashpër deklaroi se Kosova është problemi i rajonit, i Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë.
“Klasa kosovare duhet të jetë më e guximshme. Nuk zgjidhemi për të bërë politikat në kafene, që shajmë, japim mendime të mëdha, që flitet për patriotizma të mëdha. Nuk zgjidhemi të qëndrojmë në shkallët e stadiumit. Zgjidhemi për të zgjidhur probleme dhe situata të vështira. Ne zgjidhemi për t’i drejtuar ata që na zgjedhin dhe jo të biem pre e bisedave në kafene, apo të presioneve qofshin ata presione të politikave ditore. Është përgjegjësi e madhe, jo e lehtë. Kosova është problemi i rajonit, i Shqipërisë, i Maqedonisë edhe i Malit të Zi, edhe i Serbisë”, tha Ahmeti.