Publikohen pamjet e para të boksierit afgan, i dyshuar për vrasjen e 38-vjeçares britanike Elizabeth Jane Ross në Athinë. Kamerat e sigurisë e kanë filmuar 26-vjeçarin Sharif Ahmadzai duke tërhequr një valixhe të madhe të zezë, ku sipas hetuesve ndodhej trupi i pajetë i vullnetares britanike. Pamjet tregojnë se ai hyn në një ndërtesë të braktisur në zonën e Kypselit dhe rreth 13 minuta më vonë, largohet pa valixhen.
Autoritetet greke thonë se i riu, me origjinë nga Afganistani, kishte mbërritur në Greqi në vitin 2016 si refugjat i mitur. Ai njihej si boksier profesionist në kategorinë “super lightweight”, ishte konvertuar në fenë e krishterë dhe kishte krijuar një organizatë bamirësie që ndihmonte familjet në nevojë dhe refugjatët.
Megjithatë, hetimet morën një kthesë vendimtare pas dëshmisë së bashkëshortes së tij. Ajo u tha autoriteteve se, përmes aplikacionit të lokalizimit në telefon, kishte zbuluar se bashkëshorti ndodhej në apartamentin e viktimës natën e ngjarjes. Më pas njoftoi policinë dhe u largua nga banesa me foshnjën e tyre.
Sharif Ahmadzai mohon se e ka vrarë 38-vjeçaren, duke pretenduar se e gjeti të pajetë në banjë. Ai pranon vetëm se transportoi trupin me valixhe, përdori kartat bankare të viktimës për të tërhequr para dhe dërgoi mesazhe nga telefoni i saj për të vonuar zbulimin e krimit. Sipas hetimeve, ai krijoi edhe një numër telefoni të rremë, nga i cili dërgoi mesazhe duke u paraqitur si një ekstremist fetar, në përpjekje për të devijuar hetimet.
Prokuroria greke e akuzon 26-vjeçarin për vrasje me dashje, grabitje dhe shkelje të ligjit për armët, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.
