Kriza në kufirin Kroaci-Mal i Zi/ Radhë të gjata makinash, pritje disa orë për udhëtaret

AKTUALITET


Situata në pikën kufitare Kroaci-Mal i Zi është ndër më të vështirat e këtij sezoni veror. Pritjet e raportuara nga udhëtarët janë rreth tre orë e gjysmë, megjithatë mediat vendase thonë se në radhë ka edhe automjete që nuk kanë lëvizur nga vendi prej 4 apo 5 orësh.

Situata e rënduar është shfaqur gjatë fundjavës, por edhe e hëna ka zbardhur më kolona të gjata deri në 20 kilometër, që shtrihen nga pika kufitare Karasovići deri në zonën pranë Aeroportit të Dubrovnikut.

Kolapsi në pikën kufitare është krijuar si pasojë e fluksit të madh të emigrantëve nga Gjermania, Zvicra, Austria dhe vende të tjera të Evropës drejt Malit të Zi, Kosovës dhe Shqipërisë.

Ministria e jashtme në Tiranë përmes një reagimi thotë se përfaqësitë tona diplomatike janë në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet vendase me synimin që në përputhje me legjislacionin në fuqi të sigurohet kalimi i shpejtë dhe të lehtë i qytetarëve shqiptarë.

“Vetëm gjatë sezonit veror rreth 300 mijë shtetas shqiptarë kalojnë përmes këtij korridori rrugor”, njoftoi Ministria e Jashtme.

Megjithatë ndër shkaqet kryesore renditen edhe kontrollet kufitare të Schengenit, mqs Kroacia është pjesë e zonës Schengen, ndërsa Mali i Zi jo.  Kjo do të thotë se çdo automjet dhe udhëtar i nënshtrohet kontrolleve të plota të dokumenteve, gjë që ngadalëson kalimin.

Autoritetet lokale kroate kanë aktivizuar Shtabin e Mbrojtjes Civile për shkak të bllokimit, ndërsa Zjarrfikësit kanë shpërndarë ujë për udhëtarët që kanë mbetur për orë të tëra në trafik. Policia kroate po devijon një pjesë të makina në rrugë alternative për të mbajtur të kalueshme rrugën drejt Aeroportit të Dubrovnikut.



Skip to toolbar