Masakra e Srebrenicës/ Ambasadori amerikan në Bosnje: Autorët janë të lirë

KOSOVA


Ambasadori amerikan në Bosnje dhe Hercegovinë Michael Murphy deklaroi se disa nga ata autorët e gjenocidit të Srebrenicës janë ende të lirë, duke theksuar se zyrtarët e Bosnjes në të gjitha nivelet, kanë përgjegjësi për të kërkuar drejtësi duke hetuar e ndjekur penalisht kriminelët.

“Zyrtarët e Bosnje e Hercegovinës në të gjitha nivelet kanë një përgjegjësi institucionale për të pranuar atë që ndodhi në Srebrenicë 27 vjet më parë, si dhe një detyrim të vazhdueshëm për t’u mësuar brezave të ardhshëm të vërtetën, duke treguar respekt për viktimat, duke mbështetur të mbijetuarit, duke përfshirë kujtimin, kërkimin për të zhdukurit, si dhe duke kërkuar drejtësi duke hetuar dhe ndjekur penalisht autorët”, tha Murphy në një videomesazh.


Ambasadori amerikan deklaroi se sot do të marrë pjesë në përkujtimin e 27-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë, të cilin e quajti “një ngjarje e errët në histori, jo vetëm për Bosnje dhe Hercegovinën, por edhe për mbarë njerëzimin”.

“Në këtë përvjetor, si gjithmonë, amerikanët shprehin solidaritetin e tyre me viktimat, të mbijetuarit dhe familjet e pikëlluara”, theksoi Murphy.
Sipas tij, ky përvjetor është një kujtesë se shoqëria, liderët politikë dhe institucionet në të gjitha nivelet e Bosnjë-Hercegovinës kanë një përgjegjësi të madhe për të konfirmuar të gjitha faktet që lidhen me gjenocidin në Srebrenicë.

Siç ka theksuar ai, këto janë fakte që janë vërtetuar me siguri nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe për të cilat ka prova të padiskutueshme mjeko-ligjore.
Murphy vlerësoi se kjo është e vetmja rrugë drejt së ardhmes që sjell pajtimin për popullin e Bosnje dhe Hercegovinës.

Ai u bëri thirrje liderëve politikë në Bosnje dhe Hercegovinë që të tregojnë të njëjtin guxim dhe forcë, duke u kujtuar atyre se duhet të kishin ndalur shumë kohë më parë me retorikën nxitëse nacionaliste, si dhe propagandimin e narrativave të rreme për të kaluarën dhe thellimin e ndarjeve etnike midis popullit të Bosnje e Hercegovinës.

Sot në Qendrën Memoriale të Srebrenicës Potoçari do të shënohet 27-vjetori i gjenocidit ndaj boshnjakëve, i cili u krye nga forcat serbe në korrik të vitit 1995.

Këtë vit, 50 viktima të Srebrenicës do të varrosen në Potoçari, që do ta çojë numrin në 6721.




Skip to toolbar