Në fjalën e tij në Kuvend, deputeti i LSI-së Ralf Gjoni kërkoi që të mblidhet urgjentisht Këshilli i Sigurisë Kombëtare pasi flitet se më 30 qershor mund të vriten politikanë.
“Flitet që ditën e zgjedhjeve do të ketë atentate. Janë ngritur celula me snajper për atentate kundër politikanëve. Duhet të mblidhet urgjentisht Këshilli i Sigurisë Kombëtare”, tha Ralf Gjoni duke mos dhënë detaje të mëtejshme të informacionit që ai kishte.
“Ju e votuat Ilir Metën. Unë jam i vetmi që e kam jetuar si një ditë të zezë ditën e votimit të Ilir Metës. Edhe ju nuk keni dashur por e votuan. Unë e dija se largimi i Ilir Metës nga LSI ishte fillimi i fundit të partisë. Zgjedhja e Ilir Metës nga PS nuk ka qenë në shërbim të shqiptarëve. Edi Rama ju urdhëroi ta zgjidhnit Ilir Metën sepse donit ta hiqnit qafe nga politika dhe e çuat në presidencë që më shumë i ngjan një azili pleqsh. Ilir Meta është bishë politike. Ku jeton dot ai pa politikë. Ju menduat se ai do ishte mbi palët. Hajde mendje hajde. Presidenti nuk e çdekreton dot një dekret sepse ju e keni zhvlerësuar presidentin. Me mirë të ishim monarki. Për çfarë vlen presidenca në një republikë parlamentare?”, tha Gjoni